Klubi i Ligës Premier, Crystal Palace, do të zhvillojë bisedime me UEFA-n rreth pjesëmarrjes së tyre në garat evropiane sezonin e ardhshëm, për shkak të një shkeljeje të mundshme të rregullave për pronësinë e shumëklubeve, raportojnë mediat.
Crystal Palace e fitoi FA Cup, trofeun e parë madhor në historinë e klubit muajin e kaluar, pasi mposhti Manchester Cityn me rezultat 1-0 në ‘Wembley’. Si rezultat i këtij suksesi, Palace është në rrugë për të marrë pjesë për herë të parë në garat evropiane, pasi është kualifikuar në Ligën e Evropës.
Megjithatë, sipas Daily Mail, vendi i tyre në këtë kompeticion ende nuk është plotësisht i sigurt, pasi të martën do të mbajnë një ‘takim emergjent’ me UEFA-n.
Çështja ka të bëjë me pronësinë e shumicës së aksioneve nga John Textor, pronari kryesor i Crystal Palace, i cili zotëron gjithashtu klubin francez Lyon dhe ka ndikim edhe te skuadra daneze Brondby.
Biznesmeni amerikan zotëron rreth 45 për qind të aksioneve të Crystal Palace dhe ka pronësi shumicë te Lyoni, përmes grupit ‘Eagle Holdings’. Lyon, i cili së fundmi ka raportuar borxhe marramendëse mbi 500 milionë euro, u kualifikua në Ligën e Evropës duke përfunduar i gjashti në Ligue 1.
Sipas rregullave të UEFA-s, dy klube që kontrollohen nga i njëjti person ose entitet nuk mund të marrin pjesë në të njëjtën garë evropiane. Rregullorja thotë gjithashtu se, në rast të një konflikti, kualifikimin e fiton klubi që ka përfunduar në pozitë më të lartë në kampionatin përkatës.
Sipas Daily Mail, Crystal Palace nuk ka dhënë ndonjë koment zyrtar për situatën, por besohet se klubi është ‘i sigurt’ për pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, duke argumentuar se Textor mban vetëm 25 për qind të të drejtave të votës në klub dhe ‘nuk merr vendime në mënyrë të pavarur’./Telegrafi/