Kylian Mbappe do të jetë trashëgimtari i fanellës me numrin 10 te Real Madrid. Lajmi është konfirmuar nga vetë lojtari francez përmes një postimi enigmatik në rrjete sociale, ku ai publikoi vetëm një numër: “10”.
Ky numër simbolik ishte mbajtur për gati një dekadë nga Luka Modrić, i cili mbylli zyrtarisht aventurën e tij në klub pas 13 sezoneve të suksesshme. Pas largimit të kroatit, fanella me numrin 10 mbeti pa zot, por klubi madrilen ka vendosur ta besojë tek lideri i ri i projektit.
Mbappe kishte veshur numrin 9 gjatë sezonit të tij të parë në Real Madrid, por që nga kjo verë do të bartë numrin me të cilin udhëheq edhe Kombëtaren e Francës – një vendim që forcon edhe më shumë rolin e tij qendror në ekipin e Xabi Alonso.
Ndërkohë, numri 9 mbetet i lirë ani dhe pritet të marrë një emër të ri gjatë verës.
Përtej aspektit sportiv, ky ndryshim ka ndikim të madh edhe në aspektin komercial. Në dyqanet zyrtare të Real Madridit do të nis të shfaqen fanellat e reja me emrin Mbappe dhe numrin 10.
Çmimi për versionin standard është 125 euro, ndërsa versioni ‘pro’ i njëjtë me atë që përdorin lojtarët në fushë, kushton 175 euro.
Klubi “merengues” shpreson të ripërsërisë suksesin financiar të parë me transferimin e Cristiano Ronaldos. Gjatë ditës së parë të shitjeve në vitin 2009, fanellat ‘CR9’ u shitën me ritëm prej 15 copë në minutë, duke gjeneruar mbi 170 mijë euro vetëm në dyqanin e “Santiago Bernabéu”.
Në total, sezoni i parë i CR9 solli mbi 1 milion fanella të shitura dhe mbi 100 milionë euro të ardhura. Tani me Mbappé si numri 10, Real Madridi synon të rikthejë jo vetëm lavdinë në fushë, por edhe të përforcojë pozicionin e vet si marka më e fuqishme në botën e futbollit. /Telegrafi/