Tashmë është edhe zyrtare: Arsid Kruja do të jetë pjesë e Vllaznisë për sezonin e ri. Lojtari që shkëlqeu dy sezonet e fundit me Teutën duke u përzgjedhur edhe në formacionin më të mirë të kampionatit, tashmë do të rivishet sërish kuqeblu.
Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi shkodran përmes faqes së tij zyrtare ku bëhet e ditur po ashtu se marrëveshja mes palëve do të jetë njëvjeçare. Ja çfarë shkruhet në këtë postim:
“Pas dy vitesh tek Teuta, futbollisti Arsid Kruja rikthehet në Shkodër për të veshur sërish fanellën kuqeblu. Klubi dhe lojtari kanë firmosur kontratën dhe ai do të jetë pjesë e Vllaznisë për sezonin e ri. Mirë se u riktheve në shtëpi Arsid Kruja!”
Kujtojmë se Kruja në këtë mënyrë bëhet i pari përforcim i kuqebluve në merkaton e verës dhe në ditët në vijim priten edhe të tjerë. Po lakohen shumë emra, megjithatë drejtuesit janë të vendosur për të mos publikuar asgjë deri në momentin e hedhjes së firmës në kontratë siç ndodhi edhe me Arsidin.(www.shkodrasport.com)