Nga Maringlen ZHIVANI
Victor Da Silva rikthehet te Vllaznia. Kjo merkato e janarit i ka bashkuar edhe njëherë tjetër të dy palët për pjesën e mbetur në vazhdim të sezonit. Në fakt, braziliani është larguar nga klubi i Nasaf në Uzbekistan dhe tashmë, ai e ka mbyllur aventurën e tij atje, teksa momentalisht Da Silva është një futbollist i lirë në treg.
Në fakt, nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, të dy palët kanë patur negociata prej disa ditësh dhe është diskutuar që Da Silva të jetë pjesë e Vllaznisë për 6-muajt e ardhshëm. Futbollisti ka mbërritur në Shkodër prej pak minutash dhe tashmë pritet vetëm firma e tij në kontratë me Vllazninë.
Në fakt, burime pranë tij e kanë pranuar se braziliani do të rikthehet te Vllaznia. Afrimin e Da Silvës e la të hapur edhe presidenti Xhaferi në një komunikim për mediat, ndonëse pa përmendur emra. Tek Vllaznia, braziliani u shndërrua në një futbollist të rëndësishëm gjatë dy viteve që ishte pjesë e saj. Megjithatë, duhet pranuar se ka patur edhe shumë probleme dëmtimesh, ç’ka bënë që ai për shumë javë të mos ishte i gatshëm për të luajtur.
Në këtë moment, Vllaznia ndoshta do kishte nevojë për shërbimet e tij, për vetë faktin se në pjesën e parë të sezonit kroati Amir Kahrimanoviç nuk ka bindur aq sa pritje. Tashmë, sulmuesi brazilian rikthehet edhe njëherë tjetër tek Vllaznia. Kontaktet kanë qenë prej ditësh, teksa tashmë kanë mbetur për t’u diskutuar vetëm detajet e fundit të kontratës dhe hedhja e firmës në të./www.shkodrasport.com/