Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia pritet të zyrtarizojë një tjetër afrim në merkato. Nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, çërpara nisjes për në Letoni, drejtuesit kuqeblu kanë firmosur me një portier gjerman. Fjala është për Leon Pohls, portierin 28-vjeçar nga Gjermania.

Ai ka firmosur një kontratë një-vjeçare me shkodranët me të drejtë zgjatje edhe për një vit tjetër, teksa zyrtarizimi nga ana e klubit të Vllaznisë pritet të vijë ditën e nesërme.

Portieri gjerman do të jetë pjesë e listës së ekipit kuqeblu për turin e dytë të Conference League, listë e cila do të dorëzohet mbrëmjen e sotme në orën 24:00. Për Pohls, kjo është eksperienca e tij e parë në kampionatin shqiptar.

Pjesën më të madhe të karrierës së tij, ky portier e ka në Irlandë me Shamrock Rovers. Në këtë mënyrë, formacioni i trajnerit Edi Martini nis të marrë formë, sepse tashmë edhe porta është plotësuar me futbollistët që ka kërkuar.(www.shkodrasport.com)