Nga Maringlen ZHIVANI
Një tjetër sukses për gjyqtaret shqiptare të futbollit, të cilat vazhdojnë të përfaqësojnë vendin në nivele të larta ndërkombëtare. Arbitret Eglantina Pjetrushaj nga Lezha dhe Jena Mala nga Shkodra janë caktuar për të gjykuar një ndeshje në raundin kualifikues të UEFA Women’s Champions League.
Eglantina Pjetrushaj do të jetë gjyqtarja kryesore në sfidën mes Myjava (Sllovaki) dhe Swieqi United (Malta), ndërsa shkodranja Jena Mala do të jetë assistente e parë.
Ky është një vlerësim i rëndësishëm për dy gjyqtaret shqiptare, të cilat prej vitesh kanë treguar nivel të lartë profesionalizmi dhe janë bërë emra të besueshëm për UEFA-n.
Pjesëmarrja e tyre në një kompeticion si Liga e Kampioneve për femra është dëshmi e progresit të arbitrimit shqiptar, veçanërisht në futbollin e femrave.(www.shkodrasport.com)