Liverpuli ka finalizuar firmën me një nga yjet e Bajer Leverkusen, mbrojtësin Xheremi Frimpong, pasi pagoi klauzolën e largimit prej 29,5 milionë paund të futbollistit i cili u bë një emër i njohur në radhët e klubit gjerman në këto vite.
Mbrojtësi i djathtë kishte kryer vizitat mjekësore në ditët e para të këtij muaji, por tani është bërë blerja e parë zyrtare e kampionëve të Anglisë. Ai do të bëhet zëvendësuesi i Trent Aleksander-Arnold, i cili u jep lamtumirën të kuqve për të shkuar te Real Madrid që para Botërorit të Klubeve.
Megjithatë, holandezi është një zëvendësues i niveleve më të larta, pasi 24-vjeçari ka shënuar 28 gola në tre sezonet e fundit, duke dhënë edhe 35 asiste. “Ishte e thjeshtë, Liverpuli erdhi dhe tha që interesohej për mua dhe padyshim nuk kishte pse të mendohesha”, tha lojtari në fjalët e publikuara në faqen e klubit. “U thashë menaxherëve “Çfarëdo që bëni, vetëm kryejeni këtë””.
Lojtari ka nënshkruar për pesë vite me klubin anglez, ku gjen shumë bashkëkombës të tij, duke filluar nga trajneri Slot, për të vazhduar me Van Dajk, Gakpo dhe Gravenberh.