Marash Kumbulla është ende në pritje që të mësojë se cila do të jetë e ardhmja e tij, pasi te Roma duket se nuk ka hapësira për t’u vënën nën urdhrat e Daniele De Rosit. Lojtari është në shitje por oferta për ta blerë kartonin e tij për momentin nuk ka, pasi të gjithë duan ta shohin edhe një herë duke luajtur rregullisht.
Hipoteza më e mundshme, sipas mediave pranë klubit të Romës, është ajo e huazimit dhe një klub ka bërë një hap konkret. Bëhet fjalë për Parmën e cila synon që të përforcohet me lojtarë me eksperiencë për sezonin e kthimit në Serinë A, duke parë te Kumbulla një të tillë.
Parma ka kërkuar huazimin deri në fund të sezonit të lojtarit, pa të drejtë blerje, por me mundësinë e një transferimi nëse gjërat shkojnë ashtu siç shpresohet. Një hipotezë që tërheq edhe Romën, por e cila ka një kusht të panegociueshëm.
Klubi është gati ta lejojë huazimin falas, nëse Parma merr përsipër pagesën e plotë të rrogës vjetore të Kumbullës, e cila është rreth një milion e gjysmë euro. Në ditët në vijim negociatat mes palëve do të vijojnë, me Kumbullën që ka shprehur gatishmërinë të transferohet në një klub ku të mund të luajë rregullisht.