Përpara se t’i bashkohej Realit të Madridit në vitin 2009, Kristiano Ronaldo regjistroi markën tregtare “CR9” në Portugali, duke parashikuar se do ta mbante atë numër në klub. Një regjistrim që zgjati vetëm një sezon, para se ai të rifitonte një markë tregtare që ka bërë bum të vërtetë mediatik dhe marketingu: “CR7”.
“E doja numrin 7, por e di që është numri i një lojtari legjendar të ekipit. Shqetësohem për t’i bërë gjërat mirë, jo për numrin. Ai që luan, jam unë, jo numri që kam në shpinë”, rrëfeu portugezi në ditën e tij të parë. Tani, Mbape po ndjek hapat e tij me të njëjtin durim dhe vendosmëri. Ai mbërriti me një numër të “huazuar”, ndërsa numri 10, një numër i mbushur me magji dhe trashëgimi, ende shkëlqente në shpinën e Luka Modriç. Por koha i ka dhënë mundësinë francezit të marrë numrin që mban me krenari me ekipin e tij kombëtar, numrin e udhëheqësit, kapitenit, emblemës.
Me të mbërritur në Madrid, numri 10 ishte i zënë nga Luka Modriç, një maestro në mesfushë dhe një figurë e respektuar nga të gjithë. Mbape më pas mori numrin 9, duke zënë vendin e lënë bosh nga Benzema dhe duke respektuar trashëgiminë e kuptuar se koha dhe historia luajnë një rol themelor në klub.
“Ne tashmë kemi një 10, Modriç, një legjendë, fitues i ‘Topit të Artë’ dhe kampion të gjithçkaje. Jam krenar që jam pranë tij dhe ndajmë së bashku dhomën e zhveshjes… Sepse 9-ta dhe 10-ta janë afër. Është një kënaqësi për mua. Por nuk jam shumë i shqetësuar për këtë çështje, sepse nuk shikoj atë që është pas meje, mbi shpinën time; shikimi im është gjithmonë përpara, te porta”, siguroi ai në ditën e tij të parë në Madrid, në një fjalim të ngjashëm me atë të portugezit.
NJË BUM POTHUAJSE I PAPARË – Ky ndryshim i numrit nuk është vetëm çështje estetike apo numrash. Është një shenjë se Mbape është gati të marrë një rol edhe më të spikatur, të udhëheqë një epokë që kërkon ta rikthejë Madridin në krye të futbollit botëror, pasi e humbi atë pas nënshkrimit të tij. Në një klub ku numrat tregojnë histori, Mbape nuk po trashëgon vetëm numrin: ai po pranon një trashëgimi. Dhe është i destinuar të shkruajë një kapitull të paharrueshëm në historinë e Realit të Madridit me të. Ndërsa presim që klubi të përditësojë faqen e tij zyrtare të internetit me ndryshimin e numrit, i cili pritet të bëhet zyrtar në orët në vijim, ndryshimi do të shënojë fillimin e epokës së Mbapesë te Reali i Madridit. Ai ka një efekt shumëfishues në nivelin sportiv, emocional dhe komercial. Në marketing, quhet rrëfim perfekt: një simbol, një yll global dhe klubi më miqësor ndaj medias në planet. Unifikimi i numrit të tij midis klubit dhe ekipit kombëtar konsolidon imazhin e tij global, diçka kyçe për marketingun dhe ndërtimin e figurës së tij në futbollin botëror. Dhe nëse numri 9 ishte gjithashtu një numër mjaft i rëndësishëm dhe prestigjioz për të shitur fanella, një ndryshim në 10 do të thotë të trashëgosh drejtpërdrejt numrin thelbësor të Modriç.
Një valë tifozësh të Realit të Madridit do ta duan numrin francez 10. Me numrin e mëparshëm, “Adidas” u mbingarkua: brenda pak orësh, vonesa e dorëzimit kaloi një muaj e gjysmë, kështu që klubi madrilen pret një bum pothuajse të paparë. Diçka e ngjashme me atë që ndodhi me numrin 9. Në debutimin e tij me numrin 9 në sezonin 2009-10, Reali i Madridit shiti fanella me një shpejtësi prej 15 njësish në minutë – 2,000 në vetëm dy orë – duke mbledhur rreth 170,000 euro vetëm në dyqanin e “Bernabeut”! Numri i ardhshëm 10 i Realit të Madridit, një numër ikonik i veshur më parë nga Hames Rodrigez, Ozil, Snajder, Robinjo dhe Figo. Dhe, duke u kthyer në shekullin e 20-të, ishin Sedorf, Laudrup, Sandro, Prosineçki, Martin Vaskez, Hierro, Luis Mija, Haxhi, Santi Aragon, Pushkash dhe Manolo Velaskez. Tani është radha e Mbapesë. Ylli francez e ka marrë përsipër sfidën.
Ai e ka pranuar propozimin … dhe tani është radha e tij të përgjigjet në fushë. Kristiano Ronaldo e bëri si mos më mirë detyrën e tij, duke ngjitur Realin në çatinë e Botës, arriti të fitonte gjithçka. Francezi është në hapat e tij të parë dhe e di fare mirë se të arrijë Kristianon ngjan me një mision të pamundur. Por Mbape dëshiron me çdo kusht që dhe ai të vendosë gurin e tij në historinë e klubit legjendar të Madridit.