HomeATLETIKEMbyllet me sukses 'Maratona e Shkodrës 2025', ja fituesit e saj

Mbyllet me sukses ‘Maratona e Shkodrës 2025’, ja fituesit e saj

Nga Gjergj KOLA

“Maratona e Shkodrës 2025” është kurorëzuar me sukses ditën e sotme duke e kthyer qytetin tonë në një festë të vërtetë sportive. Mbi 300 pjesmarrës nga Shkodra e rrethe të tjera të Shqipërisë, por edhe të huaj, kanë marrë pjesë në këtë edicion të parë të saj, e cila u organizua nga Shoqata e Atletikës Vllaznia, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër dhe të Federatës Shqiptare të Atletikës.

Gjithçka ka qenë perfekte në organizim falë punës së palodhur të njeriut që ka meritën e jashtëzakonshme të këtij organizimi- Albert Marashit dhe stafit të tij. Itinerari i garës, nga sheshi para Bashkisë, drejt Xhabiejt e pastaj në Perash, për të dalë sërish në Parrucë, e bënte këtë aktivitet shumë interesant për t’u ndjekur edhe nga qytetarët shkodranë.

Sa i takon garës, ajo është zhvilluar për tre kategori. E para ka qenë ajo e moshës deri 15 vjeç, djem dhe vajza, ku kanë marrë pjesë shumë nxënës të shkollave 9 vjeçare të qytetit. Për djem, Ensar Balaj është shpallur fitues, në vend të dytë Ares Ferhati dhe në të tretin është renditur Endri Demaj.

Për vajza ndërkohë fituese e kësaj Maratone është shpallur Dasia Dasi, në vend të dytë është renditur Briselda Llazari dhe në të tretin Oltea Zajmi.

Gara e dytë ka qenë ajo e distancës 5 kilometra, për grupmoshën deri në 19 vjeç. Në garat e djemve, ka triumfuar atleti i Vllaznisë Sidrit Kopliku që ka zënë vendin e parë me kohën 18’06”, në të dytin Arbi Toti me 18’25” dhe në të tretin Mirsad Pëllumbi me kohën 18’38”.

Për vajza sakaq, fitues e Maratonës në këtë distancë është shpallur Elizabeta Marku me kohën 21’07”, në vend të dytë është renditur Ajla Doda me kohën 22’38” ndërsa në vend të tretë është renditur Medina Hykaj me kohën 27’27”

Për kategorinë OPEN meshkuj, padyshim që emri i cili ka spikatur mbi të tjerët është i mirënjohuri Bledar Mesi, i cili nuk e ka vënë në diskutim fitoren as këtë herë, falë përvojës dhe përgatitjes së tij të madhe. Ai i ka përshkruar të 10 kilometrat e kësaj Maratone me kohën 34’35”. Në vend të dytë është renditur Imer Kajoshaj me kohën 36’58” dhe në të tretin Florian Balaj me kohën 37’54”.

Në kategorinë OPEN femra ka spikatur atletja Redia Dauti e cila ka zënë vendin e parë me kohën 37’41’ dhe ka merituar çekun prej 500 eurosh të vënë nga organizatorët. Në vend të dytë është renditur Kristina Pura me kohën 40’27” dhe në të tretin gjermania Isabella Seider me kohën 45’35”.

“Maratona e Shkodrës 2025” në këtë mënyrë mbyllet këtu me shumë sukses, duke shpresuar që tradita e saj të vijojë edhe në vitet e ardhshme dhe pse jo me një pjesmarrje shumë më të madhe.(www.shkodrasport.com)

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments