Armando Broja do të ndryshojë përsëri skuadër gjatë kësaj vere, pasi për të nuk ka vend të Çelsi. Sulmuesi shqiptar është në listën e lojtarëve që janë nxjerrë në shitje nga londinezët, të cilët në rastin më të keq, do të duan ta huazojnë futbollistin e Kombëtares shqiptare.

Në mediat britanike, në ditët e fundit është përhapur një hipotezë mjaft interesante. Sipas tyre, Armando Broja shihet si një opsion për sulmin e skuadrës së Njukasëll, një ekip që është vazhdimisht pretendent për trofe në Angli dhe aktualisht është në zonën Champions.

Sulmuesi kryesor i kësaj skuadre mbetet Aleksander Isak, por nga radhët e saj do të largohet Kallum Uillson, të cilit i përfundon kontrata dhe nuk do të rinovojë. Kështu, ka nisur kërkimi për alternativa për sulmin për edicionin e ardhshëm, me Brojën që raportohet se është një opsion që i është sugjeruar kësaj skuadre.

Mbetet të shihet nëse Njukasëlli do të bëjë hapa konkret në këtë drejtim, por në Angli janë të bindur se klubi nuk ka ndër mend të shpenzojë 30 milionë paund, sa kërkon Çelsi për sulmuesin shqiptar. Shqetësimi kryesor i Njukasëll është situata fizike e Brojës, i cili ka kaluar shumë dëmtime në vitet e fundit dhe për të bindur klubet e mëdha, do i duhet të paraqitet për një kohë të gjatë pa probleme të tilla.