Basketbolli i femrave në Shqipëri përballet me sfida. Këto sfida janë të karaktereve të ndryshme dhe situata bëhet disi më e vështirë jashtë kryeqytetit. E megjithatë, ka një kampionat ku skuadrat kryesore ballafaqohen e rivalizojnë për titullin. Jashtë Tiranës, e cila ka tri skuadra në garë (Partizanin, Tiranën dhe Studentin), janë Vlora, Durrësi, Shkodra dhe Elbasani që përpiqen të tregojnë vlerat e tyre. Në të vërtetë, Tiranën dhe Partizanin si pretendente vetëm Flamurtari i Vlorës mund t’i përballojë, të tjerat duken larg pritshmërive. Gjithsesi, në Shkodër Vllaznia ka ngritur flamurin e “rezistencës” dhe beson në forcat e saj se mund të rivalizojnë me pretendentet.

Me një trajnere energjike si Medina Mustafa, skuadra e vajzave të Vllaznisë shpreson të jetë në “play-off”, pra në katërshen më të mirë. Ajo që e bën interesante këtë skuadër lidhet me faktin e të gjitha vajzat janë vendase e asnjë e huaj. Pra Vllaznia është ekip bio në basketbollin e femrave. Në këtë intervistë për gazetën “SOT”, trajnerja shkodrane tregon gjendjen e grupit, pozicionin në renditje, ambiciet e skuadrës dhe në një farë mase pikëvështrimin e saj për zhvillimet në basketbollin e femrave në Shqipëri.

– Deshëm një mendim tuajin për gjendjen e Vllaznisë së basketbollit të femrave në këtë periudhë, ecurisë së skuadrës dhe objektivave të skuadrës dhe tuajat personalisht për këtë sezon. Cila është gjendja?

– Ekipi im është ekipi më bio në kampionatin e basketbollit të femrave, pasi ne nuk kemi asnjë lojtare të huaj në skuadër. Sepse, ju e dini, me këtë rregullin e ri që vendosi Federata Shqiptare e Basketbollit i hoqi kufizimet në numër dhe çdo klub mund të marrë pa limit lojtare të huaja. Por jo, grupi jonë është tërësisht me vajza shqiptare. Objektivi ynë është të futemi në “play-off”, pra në katërshe. Sa më takon mua, është eksperiencë e re, pasi unë vij si trajnere e skuadrës U-18 dhe te ekipi i të rriturave është një eksperiencë e re, me vështirësi më të mëdha, me më shumë sfida etj. Por me stërvitje dhe angazhim besoj se do t’ia dalim.


– Në çfarë pozite është aktualisht skuadra juaj?

– Aktualisht ekipi është në vend të katërt, nga 7 skuadra pjesëmarrëse, dhe urojmë që këtë pozicion ta mbajmë deri në fund. Nëse shkojmë në “play-off”, besoj se jemi brenda pritshmërive tona dhe natyrisht të justifikuara sepse duhet të kuptojmë edhe rivalitetin e madh që kemi me skuadrat e kryeqytetit.

– Kë shihni si rivalet kryesore, përfshi dhe ato që lakmojnë titullin?

– Në katërshen e parë, ku synojmë të përfshihemi edhe ne, dihen skuadrat pretendente. Ato janë Tirana, Flamurtari dhe Partizani. Këto tre skuadra luajnë për vend të parë dhe janë praktikisht skuadrat më të forta në kampionat, ekipe të elitës. Këto skuadra kanë investuar dhe i kanë të qarta objektivat e tyre, pra ato luajnë për vend të parë, të dalin kampione. Por unë si trajnere e Vllaznisë, skuadër që ka synim të jetë në top-4, rivale për këtë pozicion shoh Teutën dhe Studentin. Kemi zhvilluar dy ndeshje me Teutën. Në duelin e parë në Durrës kemi fituar ne me 14 pikë diferencë. Ndeshjen e dytë e humbëm me ta këtu në Shkodër me 2 pikë, kurse me Studentin e kemi fituar ndeshjen e parë këtu në Shkodër me 18 pikë diferencë, por ndeshja e dytë akoma nuk është zhvilluar. Këto janë dy skuadrat tona rivale për objektivin tonë që të shkojmë në “play-off”.

– Çfarë ju pëlqen tek skuadra juaj?

– Mua më pëlqen karakteri i vajzave. Me shumicën e vajzave deri dje unë kam luajtur me to dhe gjysmën e ekipit i kam pasur që tek U-18. Më pëlqen dëshira që kanë vajzat për të punuar dhe për të dhënë më të mirën në fushë, si dhe për të ecur përpara në këtë sport. Mbi gjithçka, më pëlqen karakteri që tregojnë në fushë.

– Ju i keni provuar të dyja, edhe sportisten edhe trajneren. Tani që po drejtoni një skuadër të të rriturave, si e shihni, cili rol është më i vështirë?

– Trajneren sigurisht. Është realisht shumë e vështirë. Ndoshta si lojtare shpreh emocionet në lojë dhe në një farë mase e ndan përgjegjësinë me grupin, në rolin e trajneres duhet të marrësh përgjegjësi më shumë. Si trajnere ke barrë të fortë, mban stres, përgjegjësi të shtuar, duket goxha e vështirë. Të duhet të mendosh lojën, të përgatitesh, të bësh analiza, të gjendesh kudo. Kurse si lojtare merr komandën e trajnerit dhe përpiqesh të zbatosh detyrën tënde në fushë, por si trajnere duhet të jesh brenda secilit rol.

– A ju ka vënë klubi ndonjë objektiv të detyrueshëm?

– Ne funksionojmë me shoqata dhe ndonjë objektiv të detyrueshëm nuk kemi. Por unë e thashë dhe më sipër që i kemi vënë vetes objektiv të jemi në “play-off” dhe e mira do të ishte që të shkojmë në katërshe në fund të kampionatit.

– Infrastruktura në Shkodër a i përmbush kërkesat tuaja?

– Siç e dini ne kemi një pallat sporti për të gjithë shumësportëshin, për të gjitha disiplinat e mundshme në Shkodër. Pra, kemi “Qazim Dervishin” për gjithçka.

– A funksionon akademia e Vllaznisë në basketbollin e femrave? Pra, a keni ju ekipe moshash?

– Po, kemi, sigurisht. Fillojnë nga U-10 e deri në ekipin e parë. Shkodra gjithnjë i ka patur ekipet e moshave në çdo sport, ne gjithmonë jemi dalluar në këtë drejtim.

– Si e shihni të ardhmen e basketbollit të femrave në Shqipëri?

– Unë basketbollin e femrave e shoh në rritje sepse po marrim pjesë me grupmoshat në aktivitete ndërkombëtare, gjë që e rrit niveli. Ndërkohë, afrimi i lojtareve të huaja gjithashtu sjell një frymë dhe eksperience të re.