Vllaznia do të luajë sonte në ora 20:30 në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj islandezëve të Vikingur të parën ndeshje të turit të dytë të kompeticionit “UEFA Europa Conference League”. Në pamje të parë duket një sfidë e fortë, por shumëkush ka besim se kuqeblutë me ndihmën e madhe edhe të tifozëve në shkallët e stadiumit, do ia dalin për të marrë një rezultat pozitiv.
E për t’i dhënë edhe më shumë adrenalinë kësaj atmosfere, ka menduar futbollistja e Vllaznisë Megi Doçi e cila përmes një postimi në rrjetet e saj sociale mbrëmjen e djeshme, me disa fjalë shumë pikante të zgjedhura, është munduar t’u bëjë thirrje tifozëve për të qenë pranë skuadrës se ajo ka nevojë për ta. Ja çfarë shkruan ajo:
“Të gjithë në stadium nesër (sot)!
Shkodranë, nesër (sot) është dita jonë!
Vllaznia ka nevojë për ne! Le ta mbushim stadiumin dhe ta kthejmë në një det kuq e blu!
Të bashkuar si gjithmonë, le të tregojmë edhe njëherë se çfarë do të thotë tifozëri shkodrane, se si Shkodra e Vllaznia krijojnë atmosferë, entuziasëm dhe krenari!
Vllaznia nuk është vetëm një ekip, është identiteti ynë, është historia, është Shkodra vetë!
Ejani të gjithë, me të, me flamuj, me dashni për klubin tonë të zemrës. Së bashku i japim forcë ekipit, sepse kur luan Vllaznia, luan gjithë Shkodra!
Mos mungo!, Jepi zemër Vllaznisë!”
