Nga Gjergj KOLA
Jo vetëm Arbenita Curraj. Ekipi i Genoas që merr pjesë në kampionatin e femrave të Seria A në Itali, ka vendosur që t’u besojë futbollisteve shqiptare. Pak ditë më parë ajo firmosi me mbrojtësen e majtë Curraj, e pas saj ka ardhur një tjetër firmë me një tjetër lojtare të kombëtares shqiptare.
Bëhet fjalë për Alma Hilaj. Mbrojtësja 25 vjeçare e rritur dhe e formuar si futbolliste tek “Juban Danja”, ka disa vite që luan në futbollin italian. Fillimisht ka debutuar në Seria A me ekipin Florentias, e më pas ka kaluar tek Orobica, ndërsa në tre sezonet e fundit ka luajtur me ekipin Como.
Tashmë do të jetë pjesë e ekipit të Genoas. Ky i fundit duket se do të ketë objektiva serioze në sezonin e ri teksa ka marrë së fundi edhe një trajner nga Argjentina, pikërisht Sebastiàn De La Fuente.
Alma Hilaj pritet të jetë një garanci në prapavijën e kësaj skuadre. Ajo tashmë ka një përvojë të konsiderueshme në futbollin italian, por edhe me kombëtaren shqiptare duke qenë titullare e padiskutueshme e skuadrës së drejtuar nga trajneri Armir Grima.(www.shkodrasport.com)