Nga Maringlen ZHIVANI
Flamurtari do ta ketë trajnerin e ri brenda pak ditësh. Së fundmi, një tjetër emër si kandidat i mundshëm po qarkullon në Vlorë. Pikërisht, bëhet fjalë për Shpëtim Duron, i cili mund të rikthehet te kuqezinjtë. Trajneri 65-vjeçar me një karrierë të pasur në trajnim, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, ka qarkulluar orët e fundit në klubin vlonjat si një nga kandidatët më potencialë për të marrë drejtimin e Flamurtarit në Superiore.
Suhareka ka qenë skuadra e fundit që Duro ka drejtuar në sezonin 2024-2025, ndërsa më parë ka pasur eksperiencë edhe te Struga. CV-ja e Duros është nga më të pasurat dhe bordi drejtues i klubit po e shikon me seriozitet një rikthim të tij te kuqezinjtë. Ai ka drejtuar më parë Partizanin, Besën, Skënderbeun, Vllazninë, Kukësin, Laçin dhe Egnatian.
Jashtë Shqipërisë, Shpëtim Duro ka pasur eksperienca të suksesshme edhe te Shkëndija e Tetovës, si edhe te Drita e Gjilanit. Duro e ka drejtuar Flamurtarin në sezonin 2016-2017, teksa la gjurmë pozitive te kuqezinjtë. Pikërisht për shkak të kësaj pune pozitive që ka bërë me vlonjatët, drejtuesit e klubit janë duke parë edhe mundësinë e Shpëtim Duros në krye të pankinës vlonjate.
Në fakt, edhe vetë Duro duket se e mirëpret një rikthim të mundshëm në Vlorë. Duro ka nostalgji për Vlorën dhe nuk do të refuzonte një ofertë për t’u rikthyer në qytetin bregdetar. Në Vlorë qarkullojnë shumë emra për trajnerin e ri. Qatip Osmani, Zoran Zekiç dhe Gentian Mezani janë emrat e përfolur në tavolinën e administratorit Sinan Idrizit. Megjithatë, alternativa më bindëse të paktën deri në këto momente, duket rikthimi i ish-trajnerit të Vllaznisë, Shpëtim Duro.(www.shkodrasport.com)