Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia arriti të kualifikohej për në turin tjetër të Conference League, pasi fitoi në duelin e kthimit me Daugavpils, aty ku si protagonist dhe iniciator i shumicës së sulmeve të shkodranëve ishte Kevin Dodaj. Në këtë ndeshje, Balaj u mbyll shumë mirë nga mbrojtësit e Daugavpils dhe u limitua në maksimum.
Megjithatë, skuadra nuk e pati shumë të vështirë gjetjen e golit, pasi Dodaj shfaqi një nivel të jashtëzakonshëm në fushën e lojës. Gjithsesi, ajo që çalon më shumë është se Vllaznia arriti të krijonte shumë pak nga reparti i mesfushës në ndeshjen ndaj Daugavpils. Edhe në duelin e dytë ndaj letonezëve, shkodranët treguan mungesë të theksuar idesh dhe fantazie, teksa shumica e aksioneve vinin nga krahët për kuqeblutë, ku krijuan diçka emra si Gurishta apo Dodaj.
Megjithatë, reparti që ka për detyrë të nxjerrë ekipin para, pikërisht mesfusha, vuajti shumë në krijimin e aksioneve, sidomos edhe pas daljes së Qatos. I vetmi mesfushor tipik që ka një stil tjetër te Vllaznia është Ensar Tafili. Mesfushori me tipare sulmuese i dha një tjetër ritëm skuadrës shkodrane në momentin që u fut në fushën e lojës.
Guximi dhe besimi i trajnerit Martini nuk mungoi, teksa edhe Tafili ia shpërbleu besimin. Ai konsiderohet një “aset” i klubit dhe duket se ka besimin jo vetëm të drejtuesve, por edhe të stafit teknik me në krye Martinin, i cili i ka dhënë besimin e duhur gjatë përgatitjeve verore, duke e vlerësuar rritjen e tij.
Tashmë, mesa duket shumë shpejt, Ensar Tafili mund të shndërrohet në një protagonist, duke dhënë kontributin e tij për skuadrën shkodrane.(www.shkodrasport.com)