Leo Messi nuk ka marrë pjesë në asnjërën nga dy seancat stërvitore para ndeshjes All-Star të MLS, që do të zhvillohet këtë të mërkurë në Austin (Teksas), mes lojtarëve më të mirë të ligës amerikane dhe asaj meksikane.
Mungesa e tij, fillimisht, lidhet me disa shqetësime fizike. Sipas rregullores së MLS-së, lojtarët që nuk marrin pjesë në ndeshje pa një dëmtim të justifikuar dënohen me një ndeshje pezullim, siç ndodhi në vitin 2018 me Zlatan Ibrahimovic, kur ai luante për LA Galaxy.
Trajneri spanjoll Nico Estévez, aktualisht në drejtimin e Austin FC, do të jetë përgjegjës për të drejtuar ekipin e yjeve të MLS-së.
Për pjesëmarrjen e mundshme të yllit argjentinas, Estévez deklaroi se nuk ka asnjë informacion dhe se vendimi nuk varet nga ai: “Unë thjesht stërvit dhe drejtoj lojtarët që më caktohen. Uroj që Messi të jetë me ne, sepse është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave”.
Për momentin, prania e argjentinasit mbetet e pasigurt. Kujtojmë se ai nuk mori pjesë as në edicionin e kaluar për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës, të pësuar në finalen e Kupës së Amerikës.
Një tjetër mungesë në stërvitje ishte edhe Jordi Alba, i cili ishte paralajmëruar gjithashtu për të marrë pjesë në stërvitjen e së martës, por në fund nuk u paraqit.
Ndërkohë, Sergio Busquets dhe Luis Suárez nuk janë ftuar për ndeshjen. Në anën e ekipit meksikan pati gjithashtu një mungesë të rëndësishme; James Rodríguez (León), që duhej të merrte pjesë po ashtu, por nuk u paraqit, ndaj nuk do të luajë sonte.
Në kontrast, kishte pasur pasiguri rreth pjesëmarrjes së Sergio Ramos (Monterrey), por Mikel Arriola, presidenti i Ligës MX, konfirmoi se mbrojtësi spanjoll do të jetë në fushë dhe do të mbajë shiritin e kapitenit për ekipin meksikan. Ndeshja mes dy ligave do të fillojë rreth orës 03:00 të mëngjesit (me orën tonë).