Situata tek Vllaznia në pragndeshje me Vikingur nuk është ajo më e mira e mundshme. Kjo sepse stafit teknik do t’i duhet të bëjë planet pa disa prej lojtarëve që ndoshta ishin menduar si titullarë gjatë fazës përgatitore.
Kështu tashmë Kevin Dodaj nuk është më pjesë e skuadrës sepse këto ditë u transferua tek CSKA e Sofjes. Po ashtu, Artan Jazxhi që ishte menduar si titullar gjatë përgatitjeve nga ana e trajnerit Martini, nuk është më pjesë e Vllaznisë sepse pas dëmtimit që pësoi u rikthye tek Teuta.
Nga ana tjetër, mesfushori Klinti Qato u dëmtua në ndeshjen e kaluar ndaj Daugavpils dhe si rrjedhojë nuk mund të rikuperohet për takimin e nesërm duke qenë një tjetër mungesë e rëndësishme. Por problemet nuk mbarojnë këtu.
Mesfushori tjetër Eslit Sala ditën e sotme është zgjuar me temperaturë dhe të vjella, çka e ka detyruar ta kalojë paraditen në ambientet e Spitalit Rajonal të Shkodrës duke marrë serume dhe si rrjedhojë gjendja e tij jo e mirë ka bërë që të mungojë edhe në stërvitjen e pasdites së sotme e cila është e fundit në prag të ndeshjes së nesërme ndaj islandezëve.
Kjo situatë e vë në një pikëpyetje të madhe aktivizimin e tij ndaj Vikingur dhe trajneri Martini ka filluar t’i bëjë planet edhe pa të, megjithatë do të jetë dita e nesërme që do të saktësojë gjithçka, nëse Sala do të jetë në fushë apo jo.(www.shkodrasport.com)