Ndërsa në Kontinasa po punohet për largimet e mundshme të lojtarëve si Savona dhe Perin, drejtuesit e Juventusit janë të përqendruar me seriozitet te përforcimi i krahut të djathtë.
Trajneri Igor Tudor ka kërkuar një lojtar që të garantojë ekuilibër mes mbrojtjes dhe sulmit, një profil me personalitet, teknikë dhe intensitet fizik. Gjetja e një lojtari të tillë brenda një buxheti të arsyeshëm nuk është detyrë e lehtë, por merkatoja ka ofruar disa mundësi konkrete që po shqyrtohen nga drejtori Komoli dhe stafi teknik bardhezi. Aktualisht janë identifikuar katër deri në pesë kandidatë me potencial për t’u transferuar në Torino, me emra që vijnë nga Spanja, Seria A, Bundesliga dhe Premier Liga.
VASKEZ- Megjithatë, një nga opsionet më të nxehta në këtë fazë është Lukas Vaskez. Lojtari 34-vjeçar është i lirë nga çdo kontratë pas largimit nga Real Madridi, dhe agjentët e tij e kanë propozuar te Juventusi si një mundësi me “zero kosto”. Me përvojë të pasur, fleksibilitet taktik dhe mentalitet fitues, Vazkez do të ishte një përforcim me peshë për një skuadër të re në ndërtim.
DODO DHE MUNOZ- Në Serinë A, Juventusi ka hedhur sytë nga Dodo i Fiorentinës. Braziliani pëlqehet shumë për profilin ofensiv dhe rendimentin konstant, por klubi vjollcë kërkon rreth 30 milionë euro, një çmim që e bën operacionin të ndërlikuar. Një situatë e ngjashme paraqitet edhe me Daniel Munoz, lojtari i Kristal Palasit që vjen nga një sezon shumë i mirë në Premier Ligë dhe që vlerësohet rreth 25 milionë euro.
VAGNOMAN- Në këtë listë, një nga opsionet më të arsyeshme për financat e Juventusit është Xhosha Vagnoman, mbrojtësi 24-vjeçar i Shtutgartit. Me kontratë deri në vitin 2026, gjermani ka një profil fizik dhe teknik tërheqës, dhe vlerësohet me një çmim rreth 15 milionë euro. Për shkak të moshës dhe potencialit, ai shihet si një zgjidhje e qëndrueshme dhe realiste për krahun e djathtë.