Vllaznia mori një fitore me mjaft vlerë mbrëmje e djeshme ndaj Vikingur në “Loro Boriçi” me rezultatin 2-1. Kuqeblutë përmbysën golin e shënuar nga islandezët në pjesën e parë duke shënuar dy të tillë në 45 minutat e dyta, fillimisht me Bajramin dhe më pas me Malën.

Por një nga më të mirët në fushë në këtë takim padyshim që ka qenë mbrojtësi shtatëlartë Elmando Gjini. Ndonëse kishte shumë punë me kundërshtarët të cilët kishin gjatësi, ai i fitoi thuajse të gjithë duelet në ajër, por edhe me këmbë ka treguar cilësi duke qenë i pakalueshëm për futbollistët e Vikingur.

Pas ndeshjes, në një prononcim të dhënë për mediat, futbollisti shkodran i ardhur në formë huazimi nga Ballkani është shprehur: “Jam shumë i lumtur për fitoren, por edhe që gëzuam tifozët të cilët kishin ardhur për të na mbështetur. Mendoj se kam bërë një ndeshje të mirë dhe ajo që premtoj unë është se sa herë që do më jepet mundësia të jem në fushën e lojës, do të jap gjithmonë më të mirën.

Edhe unë vetë jam shkodran dhe sigurisht që kjo më motivon edhe më shumë për të dhënë gjithçka për Vllazninë. Kjo fitore është një plus për ne, por tashmë të fokusohemi tek ndeshja e kthimit dhe të tentojmë të bëjmë sa më mirë edhe në Islandë për të synuar kualifikimin në turin e tretë”.(www.shkodrasport.com)