Tek Elbasani nuk ka qetësi në këtë fund të 2024-ës. Sipas “Panorama Sport” klubi verdheblu ka pezulluar Ardit Hilën, për shkak se ka shkelur rregulloren. Burime të besueshme të gazetës pranë kampit elbasanas pohojnë se është marrë masë ndaj mesfushorit, duke e pezulluar atë pa afat. Nuk bëhet e ditur se çfarë shkeljeje ka bërë konkretisht lojtari, i cili është një nga titullarët kryesorë të ekipit verdheblu.

Pezullimi nuk ka të bëjë me performancën e tij në fushë, por për veprimet jashtë saj, që konsiderohen thyerje e rregullores. Për këtë arsye Hila nuk figuronte fare në protokollin e ndeshjes së fundit me Vllazninë në Shkodër, ku Elbasani humbi 2-1.

Mesfushori 31-vjeçar deri tani ka luajtur në 12 ndeshje kampionati, duke numëruar 851 minuta në këmbët e tij, ndërkohë që ka shënuar edhe dy gola për elbasanasit. Pezullimi pa afat i Hilës nënkupton mungesën e tij të paktën edhe në dy ndeshjet e fundit të këtij viti, me Partizanin dhe me Skënderbeun. Pastaj do të shihet se çfarë do të ndodhë pas janarit.

Nëse pezullimi do të vijojë dhe nuk do të ketë një prapakthehu nga ana e klubit, atëherë në janar Hila mund të lihet i lirë për t’u larguar nga Elbasani. Në fakt, edhe edicionin e kaluar në Kategorinë e Parë, kur verdheblutë ishin nën drejtimin e trajnerit Nevil Dede, mesfushori u pezullua për shkaqe disiplinore, por u bë sërish pjesë e skuadrës. Hila është një nga lojtarët më me eksperiencë të Elbasanit, i cili janarin e vitit të kaluar la Tiranën në Superiore për t’iu bashkuar ekipit të qytetit të tij në Kategorinë e Parë dhe së bashku ia arritën të siguronin ngjitjen në elitë.

SITUATA – Praktikisht, vendimi i fundit i klubit për Ardit Hilën është në një farë mënyre tregues i situatës jo të mirë që po kalon ekipi verdheblu në kampionat, ku duket larg pritshmërive dhe synimeve të fillimit të sezonit. Pak ditë më parë trajneri Roberto Bordin dha dorëheqjen, edhe pse vinte pas fitores me Bylisin. Ishte një reflektim i italianit për gjithçka kishte ndodhur këto javë kampionat.

Tani vjen edhe pezullimi i Ardit Hilës, një lojtari titullar që shihet si një nga ata elemente që duhet të bëjnë liderin në skuadër, bashkë me disa të tjerë. Elbasani është një skuadrat më të investuara të këtij edicioni dhe jo më kot ka hyrë me pretendime serioze, edhe pse të rivalizosh me ekipe të konsoliduara nuk është aspak një mision i lehtë. Javët e para verdheblutë ishin vërtet konkurrues në garë, por duket se barazimet e shumta gjatë rrugës i kanë larguar nga 4 vendet e para, ndërsa dy humbjet e fundit me Egnatian dhe Vllazninë kanë bërë që të shkojnë plot 7 pikë larg.

Megjithatë, me merkaton e janarit në prag, drejtuesit shohin si shpëtim ndërhyrjet që mund të bëjnë për të forcuar grupin, në mënyrë që të kenë një ecuri më të mirë në gjysmën e dytë të kampionatit.