Nga Endri ÇINARI
Pavarësisht se arriti një kualifikim me “zemër në dorë” në turin e parë të Conference League, ku me përmbysje kaloi letonezët e Daugavpils, tek Vllaznia duket se nuk ka aspak vend për eufori. Shkodranët janë kthyer të premten në mëngjes në qytetin e tyre, ku do qëndrojnë edhe për dy ditë pushim. Për t’u kthyer në fushën stërvitore ditën e dielë, ku do nisin menjëherë përgatitjet për turin e dytë të Conference League.
Por, gjithë ai festim dhe gëzim është lënë pas në Riga dhe euforia duket në doza shumë të ulëta në kampin kuqeblue. Kjo sepse kalimi i këtij turi ndaj Daugavpils, pavarësisht se rezultoi më i fortë seç pritej ishte një “detyrim” dhe objektiv për klubin 9 herë kampion të vendit tonë. Trajneri Martini, stafi teknik dhe po ai drejtues duket se janë të gjithë në një linjë, duke mbajtur ekipin me “këmbë në tokë”.
Kështu përqendrimi do jetë total në turin e dytë të Conference League, ku shkodranët do përpiqen pse jo edhe për një surprizë tjetër. Që do ishte historike pastaj e që realisht mund të festohej siç duhej.
Pasi për kalimin e turit të parë, festa dhe gëzimi ishte i “limituar” edhe nga vetë objektivi që kishte skuadra. Që ishte kalimi i një turi minimalisht në kompeticionet e kupave të Europës.(www.shkodrasport.com)