Drejtuesit e Pogradecit janë të vendosur për të ndërtuar një ekip kualitativ dhe konkurrues, në mënyrë që në fund të sezonit 2025-2026 të realizojnë atë objektiv, që i shkuan shumë pranë edhe në edicionin e fundit, ngjitje në Kategorinë Superiore.

Për ta bërë realitet misionin, drejtuesit po mundohen që të afrojnë lojtarë cilësor dhe një organikë me role të dubluara, në mënyrë që trajneri Ardian Mema ta ketë të plotë skuadrën.

Zyrtarisht deri në këto momente, liqenorët kanë zyrtarizuar 3 afrime nga merkatoja e verës, pikërisht Alesio Çaushaj, Uillim Henrike dhe Santiago Rodriguez. Por, me ekipin po stërviten edhe disa futbollistë të tjerë, ku mes tyre ka nga ata që kanë rënë dakord, por edhe që janë në provë.

Bëhet fjalë për këta futbollistë: Enes Kuka, Paolo Kasmollari, Mario Luis Nikolesku Olteanu, Yakouba Cise. Merkatoja mbetet e hapur dhe drejtuesit po shikojnë disa alternativa, kryesisht nga tregu i huaj. Burime pranë liqenorëve bëjnë me dije se me Pogradecin ka rënë dakord edhe një mesfushor nga Koreja e Jugut, i cili në të shkuarën ka provuar që të luaj edhe në Serbi me Bezhanijen, si dhe në Slloveni.

Pikërisht bëhet fjalë për 31-vjeçarin Do-hyun Kim, i cili luan në qendër të mesfushës. Në vitet e fundit Kim ka luajtur në Indonezi dhe Pogradeci përbën një rikthim në Europë për mesfushorin koranojugor. Në prononcimet e tij për mediat, ku ka shpjeguar eksperiencat e tija, del se bëhet fjalë për një lojtar që i ka problem ekstremet e temperaturave.