Nga Maringlen ZHIVANI

Portieri shkodran Entoni Shkoza ka lënë Kosovën dhe tashmë po mendon për të ardhmen e tij. 23-vjeçari luajti në gjysmën e dytë të sezonit me Rahovecin e drejtuar nga ish-futbollisti i Vllaznisë, Liridon Leci.

Megjithatë, Shkoza tashmë ka vendosur largimin nga ky ekip. Aventura e tij atje përfundoi për shkak se klubi kosovar ra nga Liga e Parë, duke bërë që ai të rikthehet tashmë sërish në Shqipëri dhe më konkretisht në Shkodër, aty ku prej pak kohësh po stërvitet në mënyrë individuale, për të qenë në formën e tij maksimale.

Ish-portieri i Vllaznisë ka mbyllur tashmë gjithçka me Rahovecin në Kosovë dhe po mendon për një ekip të ri, ku mund të luajë dhe ku natyrisht edhe mund të jetë një titullar i rregullt në çdo ndeshje.

Në fakt, interesimi për Shkozën nuk do të mungojë, teksa ai ka patur bisedime me disa klube në Shqipëri. Megjithatë, e ardhmja e tij do të vendoset në ditët e ardhshme, pasi tani është akoma herët.