Sinan Idrizi komenton numrin e lartë të lojtarëve që këtë sezon luajnë te Flamurtari. Në një prononcim të dhënë për mediat, administratori i vlonjatëve thotë se ky është një trend global: “Ne e kemi patur që në fillim dhe e kemi thënë që Flamurtari i këtij viti rrit vlerën e Superligës. Rrit vlerën në infrastrukturën e stadiumit, në lojtarët cilësorë që do të marrë, pastaj pjesa e futbollit në fushë është gjë tjetër. Dëgjoj shpesh që nuk ka vlonjatë, vijnë këtej dhe vijnë andej.
Bota sot është globale. Atëherë nëse doni që të rrimë në kufijtë e Shqipërisë, kthehuni para vitit 1990. Nuk duam asgjë, duam Flamurtar të para viteve ’90 dhe u mbyll historia. Në një botë globale nuk mund të thuash dot pse ka lojtarë të huaj. Bota është globale. Atëherë nëse është kështu, hiqni dorë, mos merrni pije nga jashtë, mos merrni veshje nga jashtë e bëni gjithçka shqiptare. Shkoni te trikotazhi dhe vishuni me rroba. Jo të gjithë kanë luksin për marka të huaja. Doni marka të huaja për t’u veshur, doni makina të huaja, doni këtë dhe doni atë dhe pastaj thoni pse nuk ka lojtarë vlonjatë. Unë i dua vlonjatët, por nuk kam ku t’i gjej”, shprehet fillimisht Idrizi.
VLONJATËT DHE AKADEMIA Sinan Idrizi kujton se vitin që Flamurtari ra në Kategorinë e Dytë, ishte me futbollistë vlonjatë. Kreu i klubit i rikthehet edhe një herë problematikave që nuk e lejojnë të investojë në akademi: “Kam 12 vjet që them se problemi i parë dhe i fundit i Flamurtarit është mungesa e akademisë. Them që dua të investoj në akademi, por problemi është që nuk investoj dot. Nuk mund të kërkoni që një ndërtesë të jetë e ndërtuar në një ngrehinë që nuk ekziston. Pronarët e Flamurtarit sot nuk kanë as pronësi.
Tek Pylli i Sodës është një zonë e sekuestruar nga Prokuroria, ka 12 vjet. Nëse anëtarët e Këshillit Bashkiak gjejnë kohën kur ne shkuam me kërkesën në muajin korrik apo gusht për t’iu hequr barrën dhe një pjesë e tyre bëjnë ‘gjinkallat e gushtit’ dhe flasin çfarë u vjen në mend, atëherë të më japin përgjigje pse nuk gjejnë mundësinë që të na krijojnë kushtet e akademisë. Që unë të kem lojtarë vlonjatë, duhet të kem kushtet e akademisë. Unë nuk ndërtoj dot një banjo atje.
Nuk kam mundësinë që të kem elementin më thelbësor. Edhe një fushë që e riparova vetë dhe doja të bëja të dytën më thanë: ‘Stop, se nuk e ndërton dot.’ Pse? Sepse është në sekuestro konservative. Është shumë e thjeshtë të thuash ku janë djemtë vlonjatë. Me djemtë vlonjatë ramë në Kategorinë e Dytë. Gjithë ekipi ishte me djemtë vlonjatë dhe përgjegjësinë e kam unë, dhe pastaj të thonë pse nuk marrim lojtarë të huaj. Kur vijnë të huajt thonë: ku janë vlonjatët?”
KONTRATA ME REALIN Administratori Sinan Idrizi zbulon se bashkë me kryeministrin Rama do të jenë në Madrid më 5 tetor për marrëveshjen me akademinë e Real Madridit. “Ne jemi të ftuar dhe do të shkojmë në Madrid. Është një iniciativë e krijuar nga vetë kryeministri Edi Rama. Do sjellim ajkën në Vlorë. Pritëm gjatë dhe Real Madridi ishte kulmi i kësaj. Ne kemi bërë një paramarrëveshje me këta për të sjellë akademinë e Real Madridit. Kemi edhe një surprizë tjetër që do ta dëgjoni kur të jemi atje. Nëse e arrijmë edhe atë, atëherë Vlora do të bëhet një qytet i lidhur me sportin në të gjitha detajet e saj.
Akademia e Realit do të vijë këtu me menaxherët e tyre, me ekspertët dhe me vlerësuesit e tyre. Gjithë investimi do të jetë i Klubit të Futbollit ‘Flamurtari’. Të gjitha terrenet në Pyll të Sodës, që janë të sekuestruara, nëse një ditë do të na vihen në dispozicion, do të investojmë. Pra, investimi është i yni dhe menaxhimi me Realin e Madridit. Pjesa e kësaj është e mbyllur, por po negociojmë për një gjë tjetër që do të jetë një surprizë e këndshme”, zbulon Idrizi.