Javën e ardhshme në Shkodër do të zhvillohet një tjetër aktivitet i rëndësishëm. Bëhet fjalë për Turneun- Memorial që zhvillohet çdo vit në nderim të figurave të shquara të këtij sporti në Shkodër të cilët nuk jetojnë më. Por ndryshe nga herët e tjera, këtë vit ndeshjeve të Memorialit i është shtuar edhe një aktivitet i “Fists of Fire”.
Kjo do të thotë se ditën e tretë të turneut, pra më 8 qershor, në ringun e ngritur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” do të ketë përpos finaleve të Memorialit, edhe tre ndeshje të boksit profesionist. Njeriu që i organizon ato është promotori shkodran Mondi Ndou, njëkohësisht edhe drejtues i “Fists of Fire”. Ky aktivitet zhvillohet në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe pritet të ngjallë shumë interes tek sportdashësit.
Duke folur për gazetën “Shkodra Sport” promotori Mondi Ndou do të shprehej: “Eventi është i përvitshëm dhe zhvillohet nga Vllaznia boks në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Boksit dhe Bashkinë Shkodër, në nderim të ish- boksierëve shkodranë që nuk jetojnë më. Por këtë vit ndërkohë menduam që eventit t’i shtohet edhe “Fists of Fire”.
Kjo e fundit po tregon çdo ditë e më shumë se është pranë boksit shkodran e shqiptar në organizimin e eventeve të ndryshme. Dhe kuptohet, unë duke qenë drejtues i saj, por njëkohësisht edhe president i “Vllaznia Boks” u përfshiva për ta bërë edhe më të bukur këtë event, mbi të gjitha për të dhuruar show me ndeshje spektakli në ringun profesionist.
Do jenë tre ndeshje që do të kenë interes nga sportdashësit shkodranë sepse në ring do të ngjiten dy prej boksierëve më të mirë të Shqipërisë, Alban Beqiri dhe Senad Drini të cilët do të ndeshen me kundërshtarë të fortë, njëri spanjoll dhe tjetri gjerman. Të dy ata janë shumë të fortë dhe me eksperiencë ndërkombëtare.
Ndërkohë në Shkodër do të vijë për herë të dytë Ikram Kerwat, por këtë herë jo si boksiere e shoqëruar nga i madhi Roy Jones Jr, por do të jetë vetën në rolin e trajneres duke shoqëruar në ring sportisten e saj Julia Igel (një boksiere gjermano- zviceriane e cila bokson për “Fists of Fire”. Ajo do të ndeshet me kolumbianen Reyes e cila bokson në Itali.
Mendoj dhe ju siguroj se të tre ndeshjet profesioniste do të jenë shumë të bukura, të hapura dhe të forta, çka do të bëjë që sportdashësit shkodranë që do të jenë të pranishëm në pallatin e sportit të kënaqen me nivelin e ndeshjeve.
Unë në deklaratat e mëparshme që kam dhënë për ju, e kam shprehur qartë se niveli i ndeshjeve nga eventi në event që organizoj unë dhe “Fists of Fire”, do të vijë duke u rritur dhe kështu po ndodh. Më 8 qershor keni për të parë ndeshje shumë të bukura”.(www.shkodrasport.com)