Sulmuesi i Kombëtares kuqezi, Rei Manaj shkëlqeu sezonin e kaluar me Sivasporin duke shënuar 18 gola dhe renditur në vendin e tretë në garën e golashënuesit më të mirë pas Mauro Ikardit dhe Edin Xhekos.
Me gjithë ofertat që kishte në merkaton e verës, Manaj zgjodhi të qëndronte, duke marrë një premtim nga presidenti i klubit për rinovim të kontratës me kushte të tjera. Por, situata tashmë ka ndryshuar dhe Manaj ka “shpërthyer” në një intervistë për Fanatik.com.tr, duke theksuar se presidenti i Sivasporit nuk e mbajti fjalën, edhe pse ai ka sakrifikuar duke luajtur me temperaturë, apo duke refuzuar klube të mëdha në Turqi. Sipas sulmuesit nga Lushnja, në janar do të shihet nëse do të lëvizë ose nëse diçka e tillë nuk ndodh, në merkaton e verës ai do të largohet si lojtar i lirë sepse i mbaron kontrata.
DËMTIMI- “Kam ardhur këtu për të luajtur futboll. Jam i lumtur. Në Spanjë dhe Itali mund të jenë temperaturat më të mira, por mund të them që jam i lumtur. Këtë sezon kam kaluar një dëmtim sepse luajta në Europian dhe u bashkova me vonesë në fazë përgatitore me skuadrën. U stërvita vetëm një javë dhe luajta direkt ndeshje, ndërkohë që nuk isha gati. Por, tani po shkon mirë dhe mendoj se nuk kam më probleme”.
SEZONI- “Këtë sezon kemi një skuadër të mirë dhe kampionati është më i vështirë sesa i vjetshmi. Kemi 18 pikë, apo 17, mendoj se 18 (qesh). Nuk jemi në pozicion të mirë, por duhet të punojmë fort dhe të japim gjithçka për të ndryshuar këtë situatë. Fitojmë një ndeshje, më pas humbim, barazim, humbim, fitojmë. Duhet të jemi më kompaktë. Të shohim si do të shkojë pas ndalesës së janarit”.
TRAJNERI- “Me trajnerin kam shumë marrëdhënie të mira. Tani e di situatën sepse nuk kemi marrë rezultate të mira sepse tifozët nuk janë të kënaqur. Por, më e rëndësishmja në futboll janë tifozët sepse për ta luhet. Disa lojtarë ju pëlqejnë, disa jo, por jo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që të japësh 100 për qind për fanellën sepse diferenca normale që ka, Gallatasaraji ka lojtarë që kushtojnë 15 milionë euro, ndërsa ne lojtarë që kushtojnë 1 milion euro. Normalisht, kjo ka një ndikim”.
RINOVIMI- “Kam diçka për t’u thënë drejtuesve të klubit. Të jem i sinqertë, kur mbarova sezonin e kaluar, kisha vërtet disa oferta të mira, por klubi vendosi që të mos largohesha. Në ditën e fundit të merkatos, kam pasur një ofertë shumë të mirë dhe nuk po flas vetëm për para, sepse për mua nuk kanë shumë rëndësi ato. Rëndësi ka se çfarë bëj, luftoj për të fituar. Paratë nuk janë prioriteti im kryesor. Situata është që i thashë klubit: Nëse qëndroj, duhet të më rinovoni kontratën me kushte të tjera sepse sezonin e fundit u tregova të gjithëve se mund të bëj diferencën dhe për të respektuar veten ose më lini që të shkoj. Më thanë që do të flasim nëse qëndron dhe ndenja vetëm për tifozët që më ndiqnin si të çmendur. E dashuroja atë moment. Por, kur mbaroi afati i transferimit, u ulëm me presidentin për të biseduar dhe për t’ia shpjeguar sepse nëse qëndroj edhe këtë sezon te Sivaspori, përfundoj kontratën. Nuk kam edhe një vit tjetër dhe situata është komplet ndryshe nga vera. Por, presidenti nuk e mori seriozisht këtë situatë dhe unë doja të flisja për këtë situatë që përpara sezonit, për të qenë i qetë dhe për të mos patur probleme. Ai më tha që do të të them, por nuk më ka kontaktuar deri tani. Kam bërë gjithçka për Sivasporin. Kam luajtur në fushë në Gaziantep me temperaturë 39 gradë, duke bërë dy serume dhe pa fjetur natën dhe në fushë jam dëmtuar. Tani jam më shumë se një lojtar i këtij klubi. Nuk jam unë që e them këtë, por ata brenda klubit, por ejani dhe shikoni. Ata nuk më kanë rinovuar kontratën, ose duhet të ndodhë, ose duhet të largohem. Shikoni se çfarë do të ndodhë në janar dhe unë do t’ju them”.
OFERTAT- “Këtë sezon kur u ktheva nga Europiani sepse para tij nuk doja të flisja me askënd për ndonjë transferim. Kisha oferta nga klube të mëdha në Turqi, skuadra në Itali apo Spanjë dhe normalisht disa ekipe në Arabi. Sivaspori nuk donte të më shiste më pak sesa pretendonin dhe duhet ta respektoja këtë situata duke qenë në kontratë me klubin, por gjithmonë duhet të të respektojnë, të dyja palët duhet ta respektojnë njëri-tjetrin, si lojtari klubin apo e kundërta. Tani jemi në një situatë tjetër sepse përfundoj kontratën këtë sezon dhe të shohim çdo të ndodhë me ndonjë ekip në janar ose në verë kur të jem një lojtar i lirë”.
E ARDHMJA– “Klube të mëdha në Turqi janë Gallatasaraj, Fenerbahçe, Beshiktash dhe Trabzonspor. Kam mundësi të luaj në një prej këtyre klubeve. Nuk mund ta them kë kam të preferuar, por pëlqej të luaj në një stadium me mijëra tifozë të mbushur. Më pëlqen adrenalina dhe presioni”.
GOLASHËNUESI– “Ka sulmues të mirë në Turqi. Xheko është një prej atyre që kam qejf. Ka një karrierë të gjatë dhe ka shënuar edhe këtu shumë gola. Kam respekt për të sepse është edhe shoku im. Unë nuk jam në garë të barabartë me ta për të luftuar për golashënuesin më të mirë, sepse nëse shikoni ndeshjen e fundit të Gallatasarajit, ata humbën 12 raste për gol, ndërsa në Sivas aq raste ne nuk i bëjmë dot në 25 ndeshje. Është komplet ndryshe. Nëse unë shkoj në një prej këtyre ekipeve, atëherë do të jem i aftë që të konkurroj për ‘Këpucën e Artë’ në kampionatin turk”, përfundon Rei Manaj.