Mohamed Salah pati një grindje në dis tancë me tifozët e Liverpulit në rrjetin social “X” pas përfundimit të merkatos verore. Konkretisht, një nga faqet më të mëdha të tifozëve, “Anfield Edition”, postoi një kolazh me Luis Diaz dhe Darvin Nunez, bashkë me nënshkrimet e reja Florian Virtz dhe Aleksandër Isak.
“Tregojnë një përmirësim më të madh në historinë e futbollit”, shkroi ‘Anfield Edition”, teksa Salah nuk ishte qartësisht i kënaqur, duke iu përgjigjur faqes. “Po sikur të festojmë transferimet e mëdha, pa treguar mungesë respekti ndaj atyre lojtarëve që dolën kampionë të Premier Ligës?”, tha Salah. Liverpuli bëri një ndryshim të madh në skuadrën e tyre gjatë verës, me Diaz dhe Nunez që ishin midis atyre që u larguan.
Kolumbiani shkoi te Bajern Mynih, ndërsa uruguajani iu bashkua Al-Hilalit. “Reds” shkruan historinë këtë verë duke shpenzuar mbi 511 milionë euro në një periudhë transferimesh rekord për Premier Ligën, duke nënshkruar lojtarë si Isak (144 milionë euro) dhe Virtz (136 milionë euro). Ky nivel shpenzimesh duket i pabesueshëm, por financat e klubit e bëjnë të mundur. Sekreti i Liverpulit është një kombinim i të ardhurave të qëndrueshme dhe planifikimit strategjik. Saktësisht, “Reds” fituan 296 milionë euro vetëm nga bonuset e suksesit në sezonin e kaluar.
Një ndikim kanë pasur edhe sponsorët dhe marketingu: Adidas ka garantuar 70 milionë euro në vit nga kontrata e re, ndërsa “Anfield” sjell rreth 6 milionë euro shitje biletash, për çdo ndeshje. Gjithashtu, klubet si Liverpuli përfitojnë mbi 250 milionë euro nga të drejtat televizive, pjesërisht falë mbështetjes masive të tifozëve. Por kampionët e Anglisë mund të mbështeten edhe te planifikimi i shpenzimeve në kohë.
Për shembull, transferimi i Isak prej 130 milionë stërlinash shpërndahet në kontratën e tij deri në vitin 2031, duke e bërë shpenzimin të menaxhueshëm. Kombinimi i fitimeve të qëndrueshme dhe investimeve strategjike bënë të mundur një merkato historike, pa rrezikuar stabilitetin financiar të klubit. Gjithashtu, Liverpuli investoi në talentet e reja: Hugo Ekitike, Milos Kerkez, Zheremi Frimpong, Xhovani Leoni dhe Xhiorxhi Mamardashvili janë pjesë e planit për të ndërtuar një ekip të fortë dhe të qëndrueshëm për vitet e ardhshme. Drejtuesit e “Reds” shprehen se kjo ishte koha e duhur për të ndërtuar atë, që e ka quajtur epokën e re të sukseseve. Ndonëse do të jetë fusha, që do të tregojë nëse ia ka vlejtur, apo jo.