Nga Maringlen ZHIVANI
Trajneri Samuel Nikaj ishte i ftuar mbrëmjen e së hënës studion e emisionit “Star Sport”, që transmetohet çdo të hënë në ekranin e Star Plus TV. Tekniku shkodran foli për ndryshimet që kanë ndodhur te kuqeblutë së fundmi. Po ashtu, ai u ndal edhe tek ulja në pankinë e Edi Martinit, ku theksoi se ai ishte zgjedhja e duhur për Vllazninë.
“Edi Martini është një emër i madh. Ka qenë idhull i tifozërisë si futbollist, por edhe si trajner periudhën e parë te Vllaznia, ka dalë deri në finale të Kupës, pavarësisht se atë finale e humbi. Megjithatë, sukses është që të dalësh deri në finale.
Ndoshta, në kampionat nuk pat rezultate të mira, por normalisht ka qenë i ri atëherë dhe pa përvojë. Tani ka bërë përvojë shumë, ka dalë kampion, ka fituar Kupë dhe Superkupë me Teutën e Durrësit, ka drejtuar ndër vite aty.
Unë mendoj që ka qenë zgjedhja e duhur dhe i uroj fat, sepse futbolli do edhe fat. Jam i bindur që do të bëjë mirë padiskutim”,-tha trajneri Samuel Nikaj në emisionin “Star Sport”.