Iliria rezultoi skuadra më e mirë e të dyja grupeve në Kategorinë e Dytë në sezonin e shkuar. Në 23 ndeshje të sezonit që sapo u mbyll, Iliria realizoi një sukses të jashtëzakonshëm, duke u shpallur edhe kampione e kësaj kategorie. Fushëkrujasit arritën 19 fitore, 3 barazime dhe vetëm një humbje, duke shënuar 56 gola dhe pësuar 12. Iliria pati në përbërje titullarë që kanë luajtur edhe në ekipet elitare.
Ky grup lojtarësh i financuar nga babai i tre futbollistëve të Ilirisë, Nazmi Selmani, bënë realitet atë ëndërr të projektuar që para 3 viteve. Tashmë Iliria nuk do të ndalet, pasi synimi i saj nuk ishte vetëm ngjitja në Kategorinë e Parë. Fushëkrujasit synojnë që të mos jenë kalimtarë në këtë kategori. Investimi i kryer nga presidenca është madhor dhe me një projekt afatgjatë.
Iliria, përveç skuadrës së parë, që sivjet do të konkurrojë në të Parën, ka ngritur dhe akademinë e moshave, që pritet të jetë furnizuesja kryesore e ekipit të parë, por me një rëndësi edhe më të madhe për sa i përket anës edukative të këtyre fëmijëve. Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga përfundimi i aktiviteteve zyrtare, lojtarët janë lënë të lirë dhe priten mjaft surpriza në ndërtimin e skuadrës së re të Kategorisë së Parë. Fillimi i qershorit do të nisë dhe me zyrtarizimet e para të skuadrës së re.
Për këtë, drejtuesit e klubit në bashkëpunim dhe me një bërthamë familjare, që kanë njohuri të shumta për futbollistët e këtij niveli do të kërkojnë në treg një cilësi dhe profesionalizëm të elementëve që do të bëhen pjesë e Ilirisë së sezonit 2025-2026. Lidhur me arritjet dhe përforcimet e skuadrës, flet protagonisti i fitores së titullit kampion në ndeshjen finale kundër Luftëtarit, Santiago Selmani. “E ndërtuam skuadrën për të realizuar atë ëndërr të madhe të të gjithë fushëkrujasve, ngjitjen direkt në të Parën, si dhe titullin kampion. Kemi vuajtur shumë, por kur synimi bëhet realitet, ndihemi të qetë dhe të lumtur. Edhe pse zyrtarisht kemi përfunduar sezonin, puna jonë nuk po ndalet, sepse “ethet” na kanë pushtuar familjarisht në ecurinë e rrugës së mëtejshme të ekipit. Ne nuk erdhëm rastësisht këtu, por as nuk do të jemi kalimtarë.
Përqendrimi është në ndërtimin e skuadrës së re, që do të përfaqësohet në Kategorinë e Parë, që duhet t’i bëjë ballë presionit të mbijetesës. Siç dihet, Iliria e Kategorisë së Parë duhet t’i bëjë mirë hesapet e mbijetesës, kur dihet fare mirë që do të jetë shumë e vështirë për shkak se shumë ekipe elitare që përbëjnë boshtin e këtij niveli. Besoj se fillimi i qershorit do të nisë me punën efektive për ndërtimin e skuadrës. Do të sjellim në përbërje futbollistë, që të kenë përvojë si dhe cilësi shumë më të mira, por do të ketë dhe surpriza në disa emra lojtarësh”, u shpreh sulmuesi 23-vjeçar, Santiago Selmani.