Vllaznia është në prag të nisjes së sezonit të ri në Superiore. Ku edicioni 2024-25 do startojë në datën 18 gusht. Me shkodranët që do udhëtojnë drejt kryeqytetit për tu ndeshur me Partizanin. Duel që do shënojë edhe debutimin e të besuarve të Brdaric në kampionat. Po ashtu skuadra duket se po merr formën përfundimtare.
Dhe nga ajo çfarë vihet re deri në këto momente është fakti se pjesa dërrmuese e futbollistëve janë nga vendi ynë. Kështu numri i të huajve tek Vllaznia është vetëm 4. Dhe këtë numër e dominon reparti i mbrojtjes. Ku bëjnë pjesë braziliani Yago, kroati Juriç dhe serbi Stojanoviç. Futbollisti tjetër i huaj i cili po ashtu vjen nga rajoni është Kahrimanoviç nga Kroacia.
Pra një skuadër që edhe të huajt i ka nga rajoni, përjashto këtu vetëm Yagon i cili vjen nga përtej kontinentit. Po ashtu numri i shkodranëve është më i lartë se në edicionet e shkuara tek kuqeblutë. Dhe nga e gjithë roza e futbollistëve ka vetëm 4 futbollistë nga ata që quhen “jabanxhinjë”. Duke nisur nga dyshja kosovare Mala dhe Bajrami e po ashtu dy mesfushorët e afruar në këtë merkato.
Deliu që vjen nga qyteti i Kavajës dhe Qato që vjen nga Kuçova. Një Vllazni thuajse totalisht e “shqipërëzura” dhe që bazën e këtij sezoni e ka bazuar tek lojtarët shkodranë dhe premtues e po ashtu edhe tek elementë që e njohin mirë kampionatin shqiptar. Duke mos dashur të presin për përshtatjen e tyre me kampionatin, por edhe ekipin shkodran.
Endri ÇINARI