Nga Maringlen ZHIVANI
Një skuadër e mirë rrit edhe vlerat e futbollistëve që ka në dispozicion. Në fund të fundit, ata janë aktorët kryesorë që zbresin në fushë dhe i mundësojnë ekipit marrjen e trofeve. Tek ekipi i Vllaznisë, disa futbollistë vlerësohen më shumë pas këtij sezoni. “Shkodra Sport” i është referuar faqes ndërkombëtare dhe të njohur për vlerat e futbollistëve në treg, “Transfermarkt”, për t’i bërë një vëzhgim ecurisë që kanë pasur futbollistët e Vllaznisë, nga fillimi dhe deri në mbylljen e këtij edicioni.
Disa prej lojtarëve kanë arritur vlerat e tyre, por ka surpriza edhe për ato që i kanë ulur, më së shumti edhe prej moshës, por edhe prej dëmtimeve. Nuk janë pak, por bëhet fjalë për plot 13-futbollistë që kanë rritur vlerën e tyre në treg, duke nisur nga ata që kanë luajtur prej disa vitesh dhe tek ata të afruar së fundmi.
Për t’i marrë me rradhë, Kevin Dodaj, Esat Mala dhe Aron Jukaj, janë tre futbollistët që janë rritur më shumë. I pari 500-mijë euro, i dyti 400-mijë euro dhe i treti 300-mijë euro. Klinti Qato tani kushton 275-mijë euro, ndërsa tre të larguarit Stojanoviç, Deliu dhe Kahrimanoviç 250-mijë euro. Krymi, Gruda, Yago, Sala dhe Bajrami kanë rritur vlerën e tyre në 250-mijë euro. Lista vijon me Çobën që kushton 200-mijë euro. Ndërkohë, sa i takon vlerave në ulje, janë katër futbollistë.
Megjithatë, kjo i ka një logjikë. Futbollistët që kanë pësuar ulje në vlerën e tyre janë Marko Juriç, Kristi Qarri, Alfred Mensah dhe Antonio Delaj. Tek portieri Qarri ka ndikuar dëmtimi i tij i gjatë në këtë ulje. Ndërkohë, Mensah nuk kapi dot formën e tij maksimale këto muaj dhe vlen më pak.
Sa i takon Juriç dhe Delaj, ata nuk janë preferuar të jenë në formacion dhe si rrjedhojë, që të dy kanë pësuar ulje në vlerën e tyre. Në një listë të gjatë ka vend edhe për një futbollist që nuk ka pësuar ndryshim në vlerë dhe bëhet fjalë për kapitenin shkodran, Bekim Balaj. Ai kushton po 200-mijë euro, duke mos përfituar dhe as humbur. Faktori i vetëm mendohet të jetë mosha, pasi përformanca e tij në fushë duket se nuk ka shumë lidhje me këtë konstatim të vlerave.(www.shkodrasport.com)