Vllaznia vijon me përgatitjet para nisjes së kampionatit. Ku humori momentalisht ndoshta nuk është më i miri i mundshëm tek kuqeblutë. Kjo për shkak të eleminmit në turin e parë të Conference League. Megjithatë skuadra e drejtuar nga Brdaric duhet të jetë gati për nisjen e sezonit me 18 gusht.
Gjendja fizike thuajse gjithë skuadrës është optimale, përjashto këtu futbollistët e linjës së majtë. Ildi Gruda ende nuk është në 100% të formës së tij. Kjo për shkak të një dëmtimi që e ka shoqëruar që nga fundi i sezonit të shkuar. Shqetësim që e la jashtë duelit dysh kundër Valur në Conference League. Për autorin e 8 golave sezonin e shkuar shpresohet rikuperimi i plotë para nisjes së kampionatit.
Dhe duke qenë se së fundmi është bashkuar me ekipin është thuajse i sigurt rikthimi i tij për nisjen e Superiores. Por një futbollist që shqetëson më shumë në krahun e majtë është Melos Bajrami. Mbrojtësi i afruar në merkaton verore ka pësuar një dëmtim para ndeshjes së kthimit ndaj Valur. Lëndim që do e lërë 4-5 javë jashtë fushave kosovarin, që ka mundësi të pakta të jetë i gatshëm për skuadrën në startin e kampionatit.
Por duke qenë se Flori Spahija tashmë është rikthyer në 100% të formës së tij fizike, mund të ketë shansin të luajë si titullarë. Një Vllazni që ende duket në ndërtim e sipër për sezonin e ri. Ku tifozët shkodranë kanë shpresa për një edicion pozitiv nga ana e ekipit të tyre të zemrës.
Endri ÇINARI