Kombëtarja shqiptare U-16 zhvilloi sot ndeshjen e parë miqësore ndaj Bullgarisë, e cila u luajt në stadiumin “Niko Dovana”. Kuqezinjtë u mundën me rezultatin 2-0.

Trajneri Andrea Tedesco e nisi sfidën me formacionin titullar: Lleshi (GK), Balla, Mali, Marku, Pierro, Varesis, Vata, Kurtulaj, Luka, Himallari dhe Matraku.Bullgaria kaloi në avantazh që në minutën e 8-të me golin e Yastin Georgiev, ndërsa në minutën e 38-të Timur Mustafa shënoi edhe golin e dytë për miqtë.

Kuqezinjtë u përpoqën të reagonin dhe krijuan disa raste të mira për shënim, por pa mundur të dërgojnë topin në rrjetë. Për t’u veçuar përpjekjet e sulmuesit shkodran Majkol Luka i cili luan me Fiorentinën në Itali dhe është njëkohësisht edhe kapiteni i ekipit tonë kombëtar. Ai bëri shumë përpjekje për të gjetur rrugën e rrjetës, por ishte i pafat.

Trajneri Tedesco aktivizoi thuajse të gjithë lojtarët e stolit, duke i dhënë hapësirë të gjithë futbollistëve që janë grumbulluar. Një ndër lojtarët e aktivizuar në pjesën e dytë ishte edhe shkodrani tjetër Ermal Ymeri i cili luan në Suedi. Aktivizimi i tij i dha më shumë frymëmarrje lojës sulmuese sepse ai duke luajtur në krahun e djathtë, i krijoi jo pak vështirësi kundështarit falë edhe veprimeve teknike të tij.

Takimi u mbyll me fitoren 2-0 të Bullgarisë. Ndeshja e dytë miqësore mes Shqipërisë dhe Bullgarisë do të zhvillohet më 8 qershor në orën 10:00, sërish në stadiumin “Niko Dovana”.