Nga Maringlen ZHIVANI
Në sfidën e parë të turit të dytë të Conference League, atë në mes Vllaznisë dhe islandezëve të Vikingur, e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”, nuk ka munguar zëri dhe duartrokitja e veçantë, ajo e gjyshërve të Shtëpisë së të Moshuarve në Shkodër. Për ta, kjo mbrëmje nuk ishte vetëm një ndeshje futbolli, por ishte edhe një moment kujtese.
Ata e përjetuan me shumë emocione fitoren e Vllaznisë ndaj Vikingur, ç’ka i bën të lumtur për suksesin e ekipit shkodran. Si gjithmonë, në çdo aktivitet kulturor apo sportiv, për ta kujdeset drejtori Fatjon Hoxha, një prej figurave më të përkushtuara ndaj kësaj shtrese.
Hoxha madje, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka falënderuar publikisht presidentin e Vllaznisë, Alban Xhaferi, për dhurimin e biletave që i bëri të mundur pjesëmarrjen e gjysheve në këtë sfidë. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që gjyshërit e Shtëpisë së të Moshuarve në Shkodër vijnë në stadium për të ndjekur nga afër Vllazninë.
Kjo praktikë është ndjekur edhe gjatë të gjithë sezonit të kaluar, ku në çdo ndeshje, gjyshërit kanë patur vendet e tyre të rezervuara në tribunën kryesore të stadiumit “Loro Boriçi”. Në fakt, në Shkodër, futbolli është më shumë se një sport, është ndjenjë dhe kur në stadium je pranë gjyshërve që kanë jetuar çdo epokë të kësaj skuadre, kupton se dashuria për Vllazninë nuk plaket kurrë.(www.shkodrasport.com)