Koordinatori i akademisë Vllaznia, Ndriçim Shtubina, ka dhënë së fundmi një intervistë për “Panorama Sport”. Ish-sulmuesi ka analizuar kualifikimin e shkodranëve në Conference League, duke e cilësuar të merituar kalimin e kuqebluve. Ndër të tjera, ish-kapiteni i Vllaznisë flet edhe për duelin e rradhës në Europë ndaj Vikingur, duke theksuar vështirësitë ndaj islandezëve.

Por, që me mbështetjen e tifozëve, Vllaznia mund të ketë një shans më shumë. Gjithashtu, si një drejtues i akademisë shkodrane, Shtubina shprehet pozitiv për shitjen e Dodajt. E po ashtu premton se te Vllaznia në të ardhmen do të ketë të tjera talente që do të dalin në pah në të ardhmen.

Shtubina, kualifikim me përmbysje, i merituar për Vllazninë apo jo?

Besoj se ishte një kualifikim i merituar totalisht për Vllazninë. Në opinionin tim, edhe në ndeshjen e parë pavarësisht, se u humb, shkodranët e dominuan takimin. Por, siç ndodh në futboll, fiton edhe ajo skuadër që me 1 rast shënon 1 gol. Megjithatë, Vllaznia tregoi vlerat e saj në ndeshjen e kthimit, duke qenë e qartë në objektiv dhe besuar kualifikimin e turit të cilën e arriti.

U duk se ekipi ndryshoi diçka në ndeshjen e dytë ndaj Daugavpils…

Them se gjithçka kishte lidhje me mentalitetin dhe mendësinë e skuadrës. Ekipi u fut në fushë me dëshirën dhe grintën e duhur. Jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë psikologjik skuadra ishte shumë lart. Prandaj besoj se kjo ishte pika kryesore për të arritur suksesin në fund të 180 minutave.

Do të ishte dështim nëse skuadra do të eliminohej në turin e parë?

Mendoj se do të ishte me vërtetë “mëkat” nëse Vllaznia nuk do të e kalonte këtë kundërshtar. Kjo sepse ishte me të vërtetë një rival që duhej kaluar dhe një “detyrë” që duhej kryer.

Tashmë përballë një tjetër ekip shumë më i fortë, Vikingur. Si e analizoni këtë përballje?

Tani është shumë më e fortë, sepse ekipet islandeze janë shumë të përgatitura, sidomos në aspektin fizik apo lojën në ajër. Këtu duhet të ketë ndoshta edhe kujdes Vllaznia, pasi ata kanë një sistem të mirë organizuar loje dhe them se stafi teknik i ka analizuar në detaj kundërshtarët dhe do të marrë masat e duhura

Sa shanse ka Vllaznia për një kualifikim historik në turin e tretë?

Shiko, do të jetë një përballje më e vështirë se ajo paraardhëse ndaj Daugavpils. Por Vllaznia nuk ka pse të të mos luftojë deri në fund, pasi në futboll kurrë s’ka asgjë të sigurt, pavarësisht kundërshtarit që ke përballë. Skuadra i ka shanset e saj për kualifikim dhe duhet t’i luajë ato shanse deri në momentin e fundit.

Tifozët në stadium besoj do të jenë një “armë” plus për ekipin?

Me tifozët në stadium, Vllaznia ka një motiv plus. Sa herë Vllaznia luan në Shkodër dhe ka tifozët në shkallët e stadiumit, futbollistët brenda tyre marrin një emocion tjetër, që patjetër i nxit për të dhënë diçka më shumë nga vetja dhe potenciali i tyre i zakonshëm. Uroj që tifozët po ashtu të jenë sa më të shumtë në shkallët e “Loro Boriçit” ditën e enjte, sepse do të jetë edhe dueli i parë sezonal në Shkodër.

Nga skuadra u largua Dodaj, si një prodhim i akademisë. Sa krenar jeni që akademia ku ju punoni nxjerr të tillë futbollistë që japin kontributin e tyre sportiv, por edhe “financiar” për klubin?

Akademia jonë prodhon shumë futbollistë dhe besoj se më shumë se çdo akademi tjetër në Shqipëri. Kjo falë punës që është bërë për shumë e shumë vite aty. Kevin Dodaj është elementi më i fundit i konfirmuar nga akademia dhe ne jemi krenarë për të. Është një shembull për të tjerët, që me punë dhe durim mund të arrish suksese në të ardhmen. Patjetër afirmimi dhe shitja e futbollistëve të akademisë është një bonus financiar edhe për klubin.

Mund të kemi talente të tjera te kuqeblutë në sezonin e ri?

Ne punojmë çdo ditë dhe në çdo moment, duke nisur nga kjo e hënë, ku do të nisim riformatimin dhe përgatitjet për sezonin e ri tek akademia Vllaznia. Do të kemi surpriza interesante edhe në të ardhmen dhe për këtë të jeni të sigurt, pasi tek akademia ka sërish të tjerë futbollistë që premtojnë shumë për të ardhmen.