Nga Endri ÇINARI
Vllaznia arriti të kthehej tek fitorja në kampionat dhe këtë e bëri në një mënyrë spektakolare ditën e shtunë në duelin e zhvilluar ndaj Partizanit. Kuqeblutë triumfuan me rezultatin 4-1 ndaj “demave”, duke marrë 3 pikët e po ashtu duke bindur në lojë.
Pavarësisht se 3 nga golat e fitores për ekipin e Martinit erdhën në minutat shtesë, 9 herë kampionët e vendit merituan gjithçka ndaj miqve kryeqytetas. Të cilët nuk arritën të rezistonin deri në fund dhe të dilnin me një pikë nga Shkodra.
Ajo që u vu re në ndeshjen ndaj Partizanit ishte fakti se tek Vllaznia, skuadra u duk shumë më e lidhur dhe më në formë se në dy ndeshjet paraardhëse. Të ardhurit në merkaton verore tashmë duket se dalëngadalë po fitojnë ritmin e duhur e po ashtu po vënë cilësitë e tyre në shërbim të skuadrës. Dy futbollistë që bënë diferencën në mesfushë me klasin dhe vizionin e tyre në ndeshjen e javës së tretë ishin Edon Murataj dhe Sherif Kallaku.
Të dy mesfushorët u prezantuan si titullarë nga ana e trajnerit Martini, i cili kishte preferuar një skuadër me elementë të shumtë sulmues. Duke shtuar këtu edhe treshen Balaj-Bismark-Kastrati. Për t’u kthyer tek dy mesfushorët, gjithçka për manovrën sulmuese të skuadrës kaloi nga këmbët e tyre.
Me Muratajn që po ashtu tentoi edhe disa herë portën kundërshtare, por pritjet e Hoxhes apo dhe fati që nuk ishte me 23-vjeçarin i mohuan atij shijen e golit në ndeshjen ndaj Partizanit.
Po ashtu edhe Kallaku u duk në ngritje të nivelit të tij, me pasimet apo driblimet që bënë diferencën në fushën e lojës. Duke i sjellë Vllaznisë kontrollin e ndeshjes në pjesën më të madhe të minutave.
E me të dy futbollistët që u vlerësuan nga publiku shkodran për performancën e tyre duke marrë edhe duartrokitje të shumta. Shumë fantazi dhe klas për Vllazninë, që vjen nga këmbët e Muratajt e Kallakut, cilësi që në edicionet e shkuara kishte munguar tek shkodranët.