Nga Maringlen ZHIVANI

Sulmuesi i Skënderbeut, Saleh Nasr, mund të bëjë një hap të madh në karrierën e tij, teksa së fundmi ka përfunduar në “radarët” e klubit prestigjioz të Al Ahly që militon elitën e futbollit egjiptian dhe ka fituar plot 112-trofe.

Një klub legjendar, që ishte pjesë edhe e Botërorit të Klubeve që u zhvillua në Amerikë, ku barazoi pa gola në ndeshjen hapëse ndaj Inter Majemit të Leo Mesit, si edhe barazoi me rezultatin 4-4 kundër Portos.

Paraqitjet pozitive të Nasr në elitën e futbollit shqiptar, duket se kanë tërhequr vëmendjen e drejtuesve egjiptianë, që mund t’i japin një shans të artë në karrierë sulmuesit 25-vjeçar. Saleh Nasr, të cilin e donte edhe Vllaznia ta kishte pjesë të ekipit të vet dhe madje kishte edhe biseda konkrete, ka arritur të regjistrojë 31-paraqitje në elitën e futbollit shqiptar, ku ka shënuar 11-gola, si edhe ka dhuruar tre assiste.

Mbetet për t’u parë me mjaft interes se si do të rrjedhin zhvillimet e merkatos për sa i përket të ardhmes së futbollistit egjiptian. 25-vjeçari momentalisht është nën kontratë me Skënderbeun dhe po stërvitet rregullisht me skuadrën korçare, duke qenë në qendër të projektit për sezonin 2025-2026.(www.shkodrasport.com)