Kombëtarja U-19 do të zhvillojë dy ndeshje miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut më 21 dhe 23 mars, me të dyja sfidat që do të luhen në stadiumin “Skënderbeu” në Korçë. Grumbullimi i lojtarëve do të nisë të hënën, ndërsa trajneri Julian Ahmataj ka përzgjedhur 20 futbollistë për këto përballje.

Nga lista, 14 lojtarë aktivizohen në klube jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër vjen nga ekipet shqiptare. Pjesë e kësaj liste është edhe futbollisti i Akademisë Vllaznia Xhesild Kapllanaj.

Sulmuesi 18 vjeçar shkodran po spikat në kampionat me ekipin U19 të Vllaznisë dhe drejtuesit kuqeblu sigurisht që i kanë përqendruar sytë tek ai duke e konsideruar një element me shumë të ardhme.

Ndërsa tani ai është edhe pjesë e kombëtares së kësaj grupmoshe dhe sigurisht që Kapllanaj do të përpiqet të tregojë vlerat e tij më të mira para syve të trajnerit Ahmataj dhe stafit të tij.

Ndeshja e parë ndaj Maqedonisë së Veriut do të luhet më 21 mars, në orën 15:00, ndërsa e dyta më 23 mars, në orën 12:00. Këto miqësore do të shërbejnë për të testuar grupin e lojtarëve të grumbulluar dhe për të vlerësuar gjendjen e ekipit.(www.shkodrasport.com)