Loja shumë e mirë e zhvilluar në ndeshjen ndaj Milanit ku shënoi edhe dy gola, ka bërë që sulmuesi shkodran Gabriel Kulla të zgjidhet në formacionin më të mirë të javës së dytë të kampionatit Primavera (U20) në Itali.
Një vlerësim ky shumë pozitiv për sulmuesin 17 vjeçar të Sassuolos, por mëse i merituar sepse ka treguar një nivel të lartë me paraqitjen e tij në fushën e lojës. Kulla padyshim që është një emër i cili do të spikasë shumë shpejt në futbollin italian dhe për momentin po e bën në mënyrën më të mirë të mundshme.
Kujtojmë që Kulla sezonin e kaluar zhvilloi të parin kampionat si profesionist në vendin fqinj duke qenë një prej golashënuesve më të mirë të kampionatit U17, ndërsa sivjet pavarësisht moshës së tij të re po luan në kampionatin U20.
Dhe që në ndeshjen e parë ndaj Juventusit bëri një paraqitje të mirë duke dhënë edhe një asist tek njëri prej tre golave të Sassuolos, ndërsa në ndeshjen e dytë, atë ndaj Milanit shënoi dy gola dhe i dha fitoren me shifrat 2-1 ekipit të tij, prandaj dhe është zgjedhur në formacionin më të mirë të javës të këtij kampionati.(www.shkodrasport.com)
