Kevin Zefi ka vendosur që të mbyllë aventurën e tij në Itali. Pas viteve të kaluara te akademia e Interit dhe e Romës, djaloshi i cili luante me moshat e Irlandës por vendosi t’i bashkohej shpresave kuqezi gjatë këtij viti, ka zbuluar se e kishte të pamundur që të vazhdonte të jetonte në Itali pasi ishte përballur atje me vështirësi dhe me racizëm. Duke folur për “Irish Independent”, ndërsa kërkon të mbyllë përfundimisht kapitullin italian, Zefi ka treguar kalvarin e tij dhe faktin se eksperienca italiane nuk e ka ndihmuar të bënte hapa para në karrierë.
“Sigurisht, mbërrita si një djalosh irlandez, gjysmë shqiptar dhe racizmi filloi të ndjehej. Ajo që duhet të bësh është të jesh i fortë mendërisht. Kishte disa episode. Kur luan mirë, nuk i jep vëmendje, por kur nuk po bën aq mirë, të dhemb. Kishte lojtarë kundërshtarë, ashtu si edhe disa shokë skuadre, që më flitnin pas krahëve dhe mendonin që nuk kuptoja se çfarë po thoshin. “Ti irlandez, ti shqiptar”, gjëra të tilla.
Ishte shumë e vështirë, që pas katër muajsh desha të largohesha nga Interi, të largohesha nga Italia. Nuk kisha as familjen dhe as miqtë e mi. Të shkosh si i ri te Interi do të thotë të përballësh një vend shumë, shumë të vështirë nga pikëpamja futbollistike. Kisha shumë ulje-ngritje, por u desh të përballesha me këtë. Më vunë të luaja në role të ndryshme, me një mënyrë trajnimi shumë të ndryshme nga ajo me të cilën isha mësuar. Ishte shumë agresive, shumë stil i vjetër. Mënyra se si më mësonin gjërat ishte shumë e tepruar për mua.
Mendoj se ka ardhur koha të largohem nga Italia. Nuk funksionoi për mua. Kam brenda vetes zjarrin që më bën të kem dëshirë që t’u tregoj Interit dhe Romës se gabuan”, ishin fjalët e futbollistit shqiptar.