Nga Endri ÇINARI
Vllaznia bëri shumë lëvizje si në hyrje ashtu edhe në dalje të futbollistëve gjatë merkatos verore. Duke ndryshuar shumëçka nga ekipi i sezonit të kaluar, me shkodranët që tashmë kanë marrë një “fytyrë” tjetër. Në skuadër janë afruar emra të rëndëishëm si Kastrati apo Kallaku. E po ashtu futbollistë me eksperiencë dhe cilësi si: Kuros, Gjini, Hakaj dhe Bismark. Por, një futbollist në veçanti po surprizon pozitivisht në këtë fillim sezoni.
Fjala është për Edon Muratajn, mesfushorin e ardhur si një i panjohur në rradhët e shkodranëve gjatë kësaj vere. Në një moment ku shumëkush mund ta cilësonte thjesht si një alternativë 23-vjeçarin, ai ka bindur duke fituar vendin e titullarit. Dhe falë performancave të tij ka arritur të jetë një nga futbollistët protagonistë të kuqebluve në këto ndeshje të para. Ku edhe në duelin e fundit ndaj Partizanit, vetëm goli mungoi për Muratajn për të konkretizuar paraqitjen fantastike ndaj të kuqve.
Driblimet, shpejtësia dhe fantazia janë tiparet që dallojnë tek ish-futbollisti i Lafnitz. Cilësi që patjetër bëjnë diferencën në fushën e lojës e kënaqin edhe tifozët. Të cilët duartrokitën në kor numrin “11-të” gjatë lojës së zhvilluar ndaj Partizanit. Një lojtar që i ka dhënë një ritëm tjetër Vllaznisë në 30 metrat e fundit të fushës, shpesh duke krijuar edhe superioritet numerik falë driblimeve të tij. E në këtë mënyrë duke krijuar shumë hapësira në sulm për dyshen Balaj-Bismark.
Më të fundit që pati një mori rastesh në ndeshjen e fundit, me shumicën prej tyre të krijuara nga këmbët e Muratajt. Patjetër për trajnerin Martini tashmë është një “siklet” pozitiv, pasi me nivelin e shfaqur në këto javë është e pamundur ta konsiderosh Muratajn thjesht si një alternativë. Por, si një futbollist bazë të formacionit dhe nga i cili mund të presësh diferencën në çdo moment të lojës.(www.shkodrasport.com)