Alsid Tafili, ish-futbollisti i Vllaznisë ka analizuar së fundmi për “Panorama Sport” në një intervistë ekskluzive sezonin e shkodranëve. Sipas ish-mesfushorit, kuqeblutë kanë pasur luhatjet e tyre, por tashmë gjithçka harrohet, duke parë se skuadra është në finalen e kampionatit. Ndër të tjera ai ka një koment edhe për duelin ndaj Egnatias, me pikat e forta dhe dobëta të kundërshtarit. Teksa beson shumë te një triumf përfundimtar i skuadrës së Brdariç, Tafili tregon edhe se kush mund të bëjë diferencën të hënën në “Arena Kombëtare”.

Tafili, një kampionat që mbyllet të hënën. Të drejta verdiktet e këtij sezoni?

Të hënën është finalja e këtij kampionati dhe unë mendoj se janë aty dy ekipet që gjatë gjithë sezonit kanë pasur një performancë të qëndrueshme dhe më të mirë se kundërshtarët. Besoj se të dyja ekipet, si Vllaznia dhe Egnatia, e meritojnë të jenë në finale, duke përligjur edhe pozicionimin e tyre si vendi i parë dhe i dytë në kampionatin e rregullt, prandaj tashmë gjithçka do të vendoset në një duel direkt mes tyre.

Çfarë duhet të bëjë Vllaznia për një triumf ndaj Egnatias?

Realisht është një përballje jashtëzakonisht e fortë dhe nuk ka ndonjë recetë të caktuar se si arrihet te suksesi. Stafi duhet të analizojë ekipin kundërshtar në çdo detaj. Duke vlerësuar këto atëherë do bëjë diferencën fakti se kush e dëshiron dhe kërkon më shumë fitoren dhe titullin. Kush do japë më shumë në fushën e lojës përsa i përket grintës dhe karakterit do të jetë më afër fitores në opinionin tim. Pa harruar edhe faktorin fat, që ndonjëherë vendos shumëçka në futboll.