HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIORETe Vllaznia do ketë përforcime nga mbrojtja deri në sulm

Te Vllaznia do ketë përforcime nga mbrojtja deri në sulm

Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia po kalon për momentin një periudhë qetësie. Tek ekipi kuqeblu ende nuk ka nisur puna për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm, aty ku sigurisht që do të synojnë që të jenë sërish pretendentë. Çështja e parë që zgjidhën ishte ajo e trajnerit, me Martinin që do të jetë në krye të stolit të Vllaznisë për këtë sezon.

Pas ardhjes së Edi Martinit në pankinë, mësohet se është vendosur edhe drejtori i ri i sportiv, i cili do të jetë Vioresin Sinani. Tashmë, Martini dhe Sinani kanë nisur të shohin edhe alternativat e mundshme për përforcimin e skuadrës. Burimet pohojnë se ka pasur takime mes trajnerit Martini, drejtorit Sinani dhe presidentit Xhaferi, ku janë diskutuar për ata që do të largohen, por edhe për dëshirat e trajnerit shkodran sa i takon afrimeve.

Ajo që për momentin dihet është se drejtuesit e Vllaznisë do të synojnë afrime me cilësi që të përforcojnë ekipin. Megjithatë, pa shkuar ende tek emrat konkretë, faza e parë është ajo e zbulimit të roleve, ku ka nevojë ekipi për përforcime. Nga sa mësohet, gjithçka do të nisë nga qendra e mbrojtjes. Me largimin e Stojanoviç dhe Juriç, kuqeblutë janë vendosur në kërkim të qendërmbrojtësave. Për momentin, shkodranët kanë në qendër të këtij Serjan Repajn, që luajti në disa ndeshje.

Paraqitjet e tij kanë qenë të mira dhe në nivel, ku u aktivizua në gjashtë ndeshje si titullar. Mirëpo, në klub janë të hapur në merkato për të afruar edhe qendërmbrojtës të tjerë, duke qenë se edhe Melos Bajramit i ka përfunduar kontrata dhe me gjasë, edhe ai do të largohet nga Vllaznia. Roli tjetër që po kërkohet është edhe ai i një mesfushori organizator, një numër “10” që për momentin mungon tek Vllaznia, pas largimit të Kahrimanoviç.

Në fakt, mbetet e vështirë për t’u gjetur një fantazist, sepse janë me “pikatore”, por duket se Vllaznia për t’u bërë pretendente e ka me të vërtetë të nevojshme. Për këtë pozicion janë duke u menduar alternativa jashtë vendit, ndërsa një nga emrat që është lakuar është edhe ai i Sherif Kallakut. I vetmi që jep garanci për golat në sulm duket se është Bekim Balaj dhe shkodranët nuk duan të varen nga këmbët e një futbollisti në një kampionat të gjatë, duke marrë në konsideratë se edhe Mensah është drejt largimit.

Gjetja e një bomberi është një nga objektivat dhe një nga emrat që është lakuar është ai i Florenc Farrukut. Ky i fundit e ka shfaqur dëshirën e tij për t’u bërë pjesë e Vllaznisë dhe nëse drejtuesit e kontaktojnë, praktikisht është një histori e mbyllur që do të jetë pjesë e kuqebluve. Nëse gjërat nuk shkojnë siç duhet me Farrukun, atëherë do të shihen alternativa të tjera në majën e sulmit.(www.shkodrasport.com)

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments