Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia ka nisur sezonin e ri të Superiores me dy ndeshje të vështira, duke arritur vetëm tre pikë në dy duelet e para. Nën/kampionët në fuqi konsiderohen si një nga skuadrat pretendente për titull, por rezultati i ndeshjes së fundit me Dinamon nuk ka qenë ai që pritej. Kuqeblutë e nisën sezonin me synime të larta, por humbja e fundit ka vënë në provë reagimin e tyre për t’u kthyer te fitorja, edhe pse është herët për të dalë në konkluzione përfundimtare.
Megjithatë, edhe pse ndeshja e fundit ndaj Dinamos nuk ishte aspak pozitive, stafi teknik dhe lojtarët nuk kanë humbur besimin. Vllaznia mbetet një skuadër me kualitet dhe eksperiencë në kampionat dhe në klub presin që performance të përmirësohet akoma më shumë sapo skuadra të gjejë ritmin e duhur.
Ky start nuk shihet si një alarm, por si një periudhë ku duhen matur forcat dhe duhet përgatitur ekipi për sfidat e ardhshme. Për tifozët dhe drejtuesit, kjo është një kohë për të monitoruar lojën dhe për të forcuar objektivin kryesor, titullin kampion dhe pretendimin për vendet e para.
Vllaznia ka potencial dhe përvoja e disa futbollistëve mund ta ndihmojë për të rikthyer ritmin dhe për të treguar se mbetet një nga pretendentet kryesore të Superiore. Ky pushim i shkurtër i kampionatit erdhi në kohën e duhur për Vllazninë. Pas dy javëve të para, ku skuadra ka bërë disa ndryshime të rëndësishme në përbërje dhe ka futur lojtarë të rinj, stafi ka mundësinë të punojë për të integruar futbollistët e rinj në sistemin e lojës.
Me shumë gjasa, Martini do të analizojë gabimet e dy ndeshjeve të para dhe do të rregullojnë strategjitë taktike. Çdo lojtar i ri do të ketë mundësi të përshtatet me ritmin e skuadrës dhe të kuptojë më mirë rolin e tij në fushë, duke përmirësuar bashkëpunimin mes reparteve të ndryshme. Nga ana tjetër, ky pushim, përveç rikuperimit fizik, i jep mundësi Vllaznisë të forcojë kiminë e ekipit dhe të ndreqë çdo mangësi para ndeshjeve të rradhës.(www.shkodrasport.com)