Kombëtarja shqiptare do të përballet me Serbinë të shtunën e 7 qershorit, në kuadër të kualifikueseve të Botërorit 2026. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, do të nisë në orën 20:45. Në prag të këtij dueli, para mediave ka folur trajneri serb, Dragan Stojkovic.

“Gëzuar Kurban Bajramin të gjithë ata që e festojnë”, tha fillimisht trajneri serb.

Cili është reparti që ju frikëson më shumë dhe kush është sot Dragan Stojkovic në stolin e skuadrës serbe?

Shqipëria është një ekip i mirë, duke e treguar në kualifkimin e Europianit. Është një skuadër e mirë dhe kanë një trajner të shkëlqyer. Broja, Manaj, Asllani, Bajrami… duhet të jemi të kujdesshëm dhe të kemi përqendrim maksimal. Nuk duhet të bëjmë gabime pas janë shumë të aftë për të na ndëshkuar.

Sulmi i Shqipërisë, loja e Shqipërisë?

Është një ekip shumë serioz dhe janë të motivuar. Kanë luajtur në kampionatin Europian. Ajo që i pasuron është agresiviteti në fushën e lojës. Kam thënë që Shqipëria ka lojtarë të mirë, nuk po i përmend përsëri emrat. Pra Shqipëria është një skuadër solide dhe garuese.

Me çfarë rezultati jeni të kënaqur?

Kemi për të fituar aq pikë sa i meritojmë. Ne kemi ardhur në Tiranë për të fituar dhe jo për të dalë barazim. Kemi për të bërë maksimumin për të arritur fitoren. Nuk po mendoj marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë.

A i keni bërë përgatitjet e duhura me Kombëtaren?

Nesër do të jetë ndeshja e 100-të dhe pikërisht kundër Shqipërisë. Kemi bërë shumë stërvitje dhe jam tepër i kënaqur. Nëse ka për të qenë çdo gjë në rregull dhe besoj se do të jetë ashtu, formacioni ka për të qenë ai që kam në kokë dhe nesër do të futemi në ndeshje.