Real Valladolidi u mposht me rezultat 2-1 në shtëpi nga Barcelona në kuadër të javës së 34-të në La Liga. Ndonëse kaluan të parët në epërsi me një gol të Ivan Sanchez në minutën e gjashtë, vendasit nuk ia dolën të rezistojnë duke lëshuar në fund rezultatin.
Tashmë të rënë nga elita e futbollit spanjoll me vetëm 16 pikë të grumbulluara, Valladolidi nuk po luante praktikisht për asgjë. Në fakt tifozët e tyre protestuan në minutën e 12-të ndaj presidentit të klubit Ronaldo Nazario.
Të gjithë ata që ishin të pranishëm në stadium po mbanin kartëmonedha false të cilat i hodhën në tokë. Kjo në shenjë revoltimi ndaj Ronaldo Nazarios, të cilin e kanë kritikuar për keqmenaxhim të klubit dhe mungesë të investimeve.
Ata kanë kërkuar nga legjenda braziliane që ta shesë klubin, pasi kjo ishte hera e tretë që prej se ai mori përsipër klubin në vitin 2018, që ata bien në La Liga 2./telesport/