Shkruar nga Gjergj KOLA
Sot, në familjen “Kraja” duhej të kishte festë, por për fat të keq kjo nuk mund të ndodhë. Nefaili, shtylla e kësaj familjeje, prej shtatë vitesh e gjysmë nuk jeton më, megjithatë, të afërmit e tij kanë një arsye të fortë për ta kujtuar sot në 70-vjetorin e lindjes së tij.
Nefail Kraja ka lindur në Shkodër më 4 maj 1956 dhe në rininë e tij iu përkushtua sportit, veçanërisht atletikës. Ai u angazhua herët me ekipin e Vllaznisë, në grupin e hedhësve, duke u profilizuar në disiplinën e shtizës.
I pajisur me një vullnet të jashtëzakonshëm, rezultatet nuk vonuan të vinin. Pas aktivizimit me Vllazninë, ai kaloi te Partizani gjatë periudhës së shërbimit ushtarak, për t’u rikthyer më pas sërish në Shkodër.
Në këtë fazë të karrierës, ai u drejtua nga ish-kolegu i tij, i ndjeri Kujtim Rrjolli, dhe së bashku me sportistë si Pjerin Tafili dhe të tjerë hedhës, arritën rezultate të rëndësishme gjatë viteve ’80, duke i dhuruar suksese ekipit të Vllaznisë.
Pas përfundimit të karrierës si sportist, për një periudhë të shkurtër, Nefaili kontribuoi edhe si trajner, duke nxjerrë kampionë si Vladimir Sokoli, ndër të tjerë.
Më pas, pas viteve ’90, ai iu përkushtua më shumë pasionit për peshkimin, duke u bërë një nga figurat më të njohura në Shkodër në këtë drejtim. Megjithatë, nuk u shkëput asnjëherë nga sporti: u bë pjesë e shoqatës së veteranëve dhe mori pjesë në aktivitete ndërkombëtare, ku madje u shpall edhe Kampion Ballkani.
Por kur dukej se një trup i fortë si i tij nuk mund të mposhtej lehtë, ndodhi e kundërta. Më 20 shtator 2018, Nefail Kraja u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë.
Sot është dita për ta kujtuar dhe nderuar, në 70-vjetorin e lindjes së tij. Secili që e ka njohur, e kujton si një sportist të përkushtuar, si një trajner të aftë dhe mbi të gjitha si një njeri të shkëlqyer.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


