Kombëtarja shqiptare do të luajë sonte në shtëpi përballë Letonisë, në kuadër të kualifikueseve të Botërorit 2026. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, do të nisë në orën 20:45. Në prag të këtij dueli ka folur para mediave edhe trajneri i Letonisë, Paolo Nicolato.
“Ndeshja ndaj Serbisë dhe ajo e radhës ndaj Shqipërisë janë dy ndeshje të ndryshme. Shqetësimi ynë kryesor është rikuperimi i lojtarëve pasi shpenzuam shumë energji në ndeshjen e mëparshme. Ne luajtëm shumë mirë një pjesë të ndeshjes së mëparshme. Jemi në rrugën e duhur, mua më pëlqeu ndeshja e mëparshme. Mendoj se mund të bëjmë një punë të mirë edhe ndaj Shqipërisë gjithashtu.
Mungesa e Ikaunieks? Jemi shumë të lumtur për Janis dhe familjen e tij. (qesh) Na mungojnë shumë lojtarë, jemi të mësuar me probleme të tilla. Kristers, Ikaunieks, Uldriķis na mungojnë. Por ne duhet të gjejmë një zgjidhje, jo një problem. Duhet të mbetemi pozitivë.
Siç e kam thënë shpeshherë, ne nuk jemi edhe aq shumë të shqetësuar për kundërshtarët tanë, por po mendojmë për ekipin tonë, strategjinë dhe si të përmirësojmë lojën. Ne treguam sjelljen e duhur në paraqitjen ndaj Serbisë. Është e qartë që ka një ndryshim të madh në aftësitë dhe në renditjen e FIFA-s mes dy skuadrave, por mendoj se po bëjmë një punë të mirë dhe jam optimist.
Po bëjmë përmirësime në fazë ofensive. Kontrolli i topit nga ana jonë është mjaft i mirë. Duhet të bëjmë përmirësime në pjesën ofensive, aty mund të ketë të tilla. Aty është pjesa ku vendoset fati i ndeshjeve, ku është më e vështirë të bëhet progres. Por ne po bëjmë dhe do të vazhdojmë të punojmë me të.
A mund të përshtatemi me ndryshimet e Shqipërisë? Po, ky është futbolli modern! Është e rëndësishme të përshtatesh gjatë ndeshjes. Silvinjo është një trajner i mirë, ai ka punuar në Itali. Të jem i sinqertë, mendoj se ndeshja e fundit ndaj Gjibraltarit nuk jep informacione të rëndësishme për mua. Ne po fokusohemi te detyrat tona, futbolli ynë”, u shpreh trajneri i Letonisë.