Nga Endri ÇINARI
Vllaznia e futbollit në sallë arriti një fitore historike dje kundër Tiranës në shifrat 1-0. Sukses që i dha titullin e parë në këtë disiplinë sportive kuqebluve. Gjithçka u vendos nga një gol i Besfort Gjokljat, që ishte vendimtar për fatet dhe fitimin e kampionatit. Menjëherë pas këtij triumfi për RTSH ka folur Alsid Tafili. Kapiteni i shkodranëve u shpreh për emocionet e këtij triumfi, sakrificat e skuadrës dhe qëllimin për të bërë sa më mirë në ndeshjet e Champions League.
Tafili tha: “Ishte një finale shumë e fortë ndaj Tiranës, skuadrës që ka dominuar këto vite futsallën. Besoj se e treguam që në fillim që e donim këtë finale dhe fitore. Ishim të vendosur tek suksesi dhe besim plotë në forcat tona. Them se e merituam dhe tashmë gjithçka u shpërblye, ku që nga fillimi i sezonit kjo skuadër kishte pretendime madhore.
Dedikimi? Të gjithëve në skuadër, nga presidenti, trajneri dhe lojtarët. Ishte një sakrificë që në nisje të edicionit dhe kemi punuar shumë për të fituar titullin. Gjithçka ka qenë shumë serioze dhe profesioniste në skuadër. Po ashtu një dedikim i veçantë shkon edhe për familjet tona.
Champions League? Një ëndërr, tashmë të luash në përballje europiane ndaj ekipeve më të mira në kontinent është me të vërtetë e veçantë. Thjesht shpresoj të bëhet e mundur që ndeshjet të zhvillohen në Shkodër. Për vetë faktin që të kënaqim tifozët tanë të mrekullueshëm që janë një forcë dhe shtysë për ne. Na kanë shoqëruar në çdo takim dhe i falenderoj për këtë. Prandaj do dëshiroja që t’i shijonin ndeshjet e Champions League në qytetin tonë ku edhe tifozeria do ishte shumë speciale.(www.shkodrasport.com)